Shkup, 10 gusht Zhurnal.mk – Jasin Mustafa, një fëmijë vetëm një vjeç e gjysmë, është sulmuar dhe kafshuar nga një qen endacak në oborrin e shtëpisë së familjes në Shuto Orizare, bëjnë të ditur prindërit e tij për “Roma Pres”.
Sipas dëshmisë së familjes, qeni dyshohet se ka hyrë në oborr, ndërsa anëtarët e familjes ndodheshin së bashku në tarracë. Fëmija në atë moment ishte pak më larg pjesëtarëve të tjerë të familjes. Kur nëna ka tentuar ta largojë qenin, sipas familjes, ai është drejtuar drejt fëmijës.
Si pasojë e sulmit, fëmija ka pësuar disa kafshime dhe lëndime në pjesë të ndryshme të trupit, përfshirë fytyrën, veshin, si dhe pjesën e përparme dhe të pasme të trupit.
Fëmija është dërguar menjëherë në një institucion shëndetësor, ku i është dhënë ndihma e nevojshme mjekësore.
Sipas dokumentacionit mjekësor të siguruar nga familja, rasti është evidentuar si kafshim ose goditje nga qen (ICD-10: W54). Në raportin mjekësor thuhet se fëmija ka marrë Verorab 0.5 ml, ndërsa është rekomanduar vazhdimi i dozave të parashikuara dhe marrja e serumit antirabik, sipas vlerësimit mjekësor.
Rasti është raportuar edhe në polici, ndërsa familja ka angazhuar si përfaqësues ligjor avokatin Emran Ismail.
Pas këtij incidenti, familja dhe banorë të Shuto Orizares kanë bërë thirrje për reagim urgjent nga institucionet kompetente, veçanërisht nga Qyteti i Shkupit, për marrjen e masave ndaj problemit me qentë endacakë dhe agresivë.
Ata kërkojnë që institucionet të ndërmarrin masa konkrete për të parandaluar raste të ngjashme dhe për të rritur sigurinë e qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve.
Shënim: “Roma Pres” disponon dokumentacionin mjekësor lidhur me rastin, i cili konfirmon se fëmija është trajtuar për kafshim nga qen. Redaksia nuk e ka verifikuar në mënyrë të pavarur identitetin apo origjinën e qenit, përtej dëshmisë së familjes.
