Filipçe: Maqedonia nuk është në shitje

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 shtator, Zhurnal.mk – Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në konferencën e sotme për shtyp e ftoi Qeverinë të tërheqë planin për hapjen e minierave të reja. Filipçe theksoi se plani i ri hapësinor, i përgatitur nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Agjencia për Planifikim Hapësinor, për herë të parë përcakton qartë lokacionet ku planifikohet hapja e minierave të reja dhe vuri në dukje se me Draft‑planin e ri hapësinor hapet mundësia për hapjen e minierave në disa lokacione nëpër shtet, me rrezik për mjedisin, ujin dhe shëndetin e qytetarëve.

„Ky është dokument strategjik në të cilin qartë thuhet në lidhje me projeksionin planifikues për vendosjen ku planifikohet hapja e minierave të reja dhe ajo që është alarmante është se konfirmohet ajo që e thoshim periudhën e kaluar, e ajo është se kjo Qeveri qartazi është e paaftë të përballet me menaxhimin e vendit, duke na çuar në humnerë financiare dhe ekonomike. Tani nuk i mbetet gjë tjetër përveçse ta shesë vendin. Dua qartë dhe me zë të lartë të porosis – Maqedonia nuk është në shitje“, tha Filipçe.

Kryetari i LSDM-së theksoi se resurset natyrore janë pasuri kombëtare dhe pushteti nuk ka të drejtë dhe nuk guxon t’i vë në funksion të interesave private dhe të fitimeve.

„Nuk mund ta shesin vendin që është pasuri kombëtare, që u takon të gjithë qytetarëve për interesa financiare të tyre dhe të huaj, pra për fitime. Në strategjinë e fundit planifikuese ka vende që nuk janë shënuar si miniera, ndërsa tani në këtë të re, e cila do të vlejë për 20 vitet e ardhshme, shkruhet saktë dhe qartë ku planifikohet hapja e minierave të reja. Këtu është Kazandoli, këtu është Ilovica, dhe eksplicit shkruhet jo vetëm në këto dy vende, por edhe në tre të tjera. Në pesë vende Qeveria e Hristijan Mickoskit planifikon ta shesë vendin, planifikon ta shesë Maqedoninë tek firmat e huaja për fitime të huaja“, tha Filipçe.

Filipçe shtoi se rreziku për shëndetin e popullsisë dhe ndotja e tokës dhe e ujërave është e madhe dhe e ftoi pushtetin ta tërheqë planin.

„Ky është rrezik së pari për shëndetin e qytetarëve, sepse duke e përpunuar këtë mineral, veçanërisht antimonin, jo rastësisht, në shumë vende është i ndaluar. Ajo materie e rrezikshme mund të depërtojë në tokë, në ujëra dhe në atë mënyrë ndotet tërësisht ajo rrethinë, ajo tokë dhe rrezikohet shëndeti i të gjithë njerëzve që jetojnë në rajonin ku planifikohen këto miniera. Dua t’u porosis – Maqedonia nuk është në shitje. Nuk do ta rrezikojmë shëndetin e qytetarëve për fitime të huaja. Dua qartë dhe me zë të lartë t’u them të tërhiqen nga ky plan“, tha Filipçe.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër