Forumi i Biznesit Ballkanik, Ibrahimaj: Investitorët turq të kalojnë nga tregtia te investimet në Shqipëri

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 09 tetor, Zhurnal.mk – Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në Forumin e Biznesit Ballkanik, organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Turqi (ATTSO), në Tiranë.

Forumi bëri bashkë përfaqësues të bizneseve dhe dhomave të tregtisë nga Shqipëria, Turqia, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, me synim krijimin e lidhjeve të reja tregtare dhe nxitjen e investimeve në rajon.

Në fjalën e saj, ministrja Ibrahimaj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, duke nënvizuar se bashkimi i kapaciteteve dhe shfrytëzimi i avantazheve konkurruese mund t’i bëjnë vendet e rajonit më tërheqëse për investitorët dhe të krijojnë hapësira të reja për tregti.

“Ne, në Ballkanin Perëndimor, jemi ekonomi të vogla dhe vetëm duke bashkëpunuar, duke investuar bashkërisht dhe duke shfrytëzuar kapacitetet tona aty ku secili ka avantazhe konkurruese, mund të përthithim më shumë investime dhe të nxisim tregtinë”, u shpreh Ibrahimaj.

Turqia është një nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë. Në vitin 2025, ajo përbënte 7,3% të volumit të përgjithshëm tregtar të vendit. Megjithatë, shkëmbimet tregtare vijojnë të dominohen nga importet, çka, sipas ministres, tregon nevojën për të rritur praninë e produkteve shqiptare në tregun turk dhe për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën e investimeve.

Ministrja bëri të ditur se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, investimet turke në Shqipëri arritën në rreth 111 milionë euro. Ibrahimaj theksoi se ky interes duhet të shtrihet më tej, duke kaluar nga marrëdhëniet tregtare dhe kontraktuale drejt investimeve të drejtpërdrejta në sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare.

“Ne do t’i krijojmë kushtet, por duhet që edhe biznesi të jetë më aktiv. Uroj që interesi i kompanive turke në Shqipëri të mos jetë vetëm për të kontraktuar apo për të shitur, por edhe për të investuar”, tha ministrja.

Ibrahimaj vuri në dukje se zhvillimi i tregut të përbashkët rajonal është një hap i rëndësishëm për uljen e barrierave, shkurtimin e kohës së të bërit biznes dhe rritjen e konkurrueshmërisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor përpara integrimit në tregun e përbashkët evropian.

Në këtë drejtim, ministrja shprehu besimin se puna e komisionit të përbashkët Shqipëri – Turqi të konkretizohet brenda këtij viti me nisma dhe plane konkrete, të cilat do t’i japin shtysë më tej marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër