FSK drejt përfshirjes në mision ndërkombëtar në Gaza, zhvillohet takim koordinues me komandën amerikane

Nga D. V.
1,257 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka zhvilluar një video-konferencë me komandantin e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (International Stabilization Force – ISF) për Gazën, gjeneralmajorin Jasper Jeffers III nga ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku është diskutuar për koordinimet e nevojshme lidhur me dislokimin e mundshëm të FSK-së në Rripin e Gazës.

Sipas njoftimit, gjatë takimit gjeneral Jashari e falënderoi gjeneralin Jeffers dhe përmes tij ushtrinë amerikane për ftesën drejtuar FSK-së për pjesëmarrje në këtë operacion ndërkombëtar.

Ai gjithashtu konfirmoi gatishmërinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës për të marrë pjesë në këtë mision me një kontingjent të saj, duke theksuar se FSK është një forcë profesionale, e trajnuar sipas standardeve të NATO-s dhe e gatshme të kontribuojë në operacione ndërkombëtare të sigurisë kur një gjë e tillë kërkohet nga ushtritë e vendeve partnere, në këtë rast nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në përfundim të takimit, gjeneralmajori Jeffers III falënderoi gjeneral Jasharin për gatishmërinë e FSK-së për të kontribuar në ofrimin e sigurisë në Lindjen e Mesme, duke e vlerësuar Kosovën si një partner serioz dhe promovues të paqes dhe stabilitetit në botë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër