Shkup, 14 prill Zhurnal.mk – Sot nuk duhet të ketë asnjë njeri në Maqedonia e Veriut që të mos e dënojë aktin e tentativës për zjarrvënie në selinë e Bashkësisë Hebraike në Shkup. Sigurisht, duhet pritur rezultatet e hetimit nga organet kompetente për të përcaktuar të gjitha faktet dhe për t’i nxjerrë autorët para drejtësisë. Pavarësisht kush janë kryerësit, ky është një incident i rëndë që ndodh në kryeqytetin tonë.
Kështu thekson në reagimin e tij ish-ambasadori Viktor Gaber.
“Por nuk duhet të heshtim dhe të mos i dënojmë aktivitete të tilla që janë në kundërshtim me filozofinë tonë të bashkëjetesës në shoqërinë maqedonase. Të ngresh dorë kundër një komuniteti që është pjesë e jona, kundër bashkëqytetarëve tanë, është shenjë e një mendjeje të turbullt”, thekson Gaber në adresimin e tij publik.
Ai shton se autorët e këtij akti kriminal, si dhe frymëzuesit apo mbështetësit e tyre, “me gjithë rrezikun që mund të gaboj, mund të konkludojmë se e ndjekin, e kuptojnë dhe e analizojnë në mënyrë sipërfaqësore gjeopolitikën dhe e vendosin veten në piedestal si pjesëmarrës në zhvillimet e errëta që lidhen me luftërat në dhe rreth Gjirit Persik”.
“Nëse qëllimi i tyre është të ndezin një fitil fillestar për destabilizimin e vendit tonë, atëherë duhet të pyesim veten si kemi krijuar hapësirë për akte të tilla terroriste”, paralajmëron ish-ambasadori.
Ai thekson se është “pozitive që institucionet kompetente paralajmëruan hetim të shpejtë”, por njëkohësisht kërkon që të shqyrtohen edhe lëshimet e mundshme në vlerësimet për parandalimin e ngjarjeve të tilla.
“Nuk është se nuk kemi pasur përvoja të mëparshme me përhapjen e tensioneve nga konfliktet e armatosura në botë”, shton ai.
Gaber nënvizon se duhet të shtrohet edhe çështja e pozicionimit të shtetit në këto rrethana globale që po shkatërrojnë jetë njerëzore dhe pasuri materiale, veçanërisht në rajonin e Gjirit Persik.
Ai përfundon se “mendje të cekëta nuk ka vetëm te ne”, duke theksuar se ndonëse i bashkohet dënimit të tentativës për zjarrvënie ndaj Bashkësisë Hebraike dhe edhe reagimeve ndërkombëtare – përfshirë ato nga Izraeli – duhet bërë dallim i qartë mes mbështetjes për hebrenjtë në vend dhe politikave të një shteti të huaj, konkretisht qeverisë izraelite të udhëhequr nga Benjamin Netanyahu.
