Gjajdova: Vlerësimi i rrezikut pas denoncimit të dhunës duhet të jetë thelbësor, masat të merren menjëherë dhe të jenë efektive

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 9 nëntor Zhurnal.mk – Rasti i fundit i femicidit në Bogdanci, ku u vra 17-vjeçarja Biljana Kiriq, ka rikthyer edhe një herë në vëmendje pyetjen nëse institucionet e njohin realisht rrezikun ndaj jetës së grave apo dhunën e trajtojnë vetëm si një incident tjetër të denoncuar.

A i identifikojnë institucionet sinjalet paralajmëruese? Pse gratë, pavarësisht denoncimeve dhe masave të shqiptuara mbrojtëse, vazhdojnë të bëhen viktima? Ku dështon sistemi dhe a mban dikush përgjegjësi kur mbrojtja vonohet?

Këto çështje u diskutuan sonte në emisionin “Top Tema”, ku të ftuara ishin gjyqtarja Gabriela Gjajdova, avokatja Neda Çallovska dhe Elena Dimushevska nga Rrjeti Kombëtar Kundër Dhunës ndaj Grave.

Gjyqtarja Gabriela Gjajdova vlerësoi se numri i femicideve të regjistruara brenda një periudhe kaq të shkurtër tregon qartë se sistemi diku po dështon.

Ajo theksoi se nuk mund të përcaktojë se kush është përgjegjës në rastin konkret dhe nëse institucionet kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, pasi nuk i ka të gjitha faktet në dispozicion, përveç informacioneve të pjesshme nga mediat.

Megjithatë, sipas saj, një nga veprimet më të rëndësishme pas çdo denoncimi të dhunës është vlerësimi i rrezikut, pavarësisht nëse denoncimi bëhet në polici, në Qendrën për Punë Sociale apo në Prokurori.

“Vlerësimi i rrezikut nënkupton të parashikohet nëse dhuna mund të përsëritet apo të përshkallëzohet në një formë më të rëndë, deri edhe në femicid”, theksoi Gjajdova.

Ajo tha se ka përshtypjen se ky detyrim shpesh përmbushet vetëm formalisht. Sipas saj, nga trajnimet që zhvillohen vërehet se vlerësimi i rrezikut bëhet kryesisht përmes formularëve që përdorin Ministria e Punëve të Brendshme dhe Qendrat për Punë Sociale.

“Dua të theksoj se vlerësimi i rrezikut është shumë më tepër sesa një listë kontrolli, parashtrimi formal i pyetjeve dhe marrja e përgjigjeve”, deklaroi gjyqtarja.

Sipas Gjajdovës, vlerësimi duhet të jetë shumë më thelbësor dhe gjithëpërfshirës. Fillimisht duhet të kuptohet konteksti i dhunës me bazë gjinore dhe, nga ky këndvështrim, të analizohen të gjitha rrethanat që mund të tregojnë për një përshkallëzim të mundshëm të dhunës.

Ajo nënvizoi se kjo nuk nënkupton vetëm hartimin e profilit psikologjik të kryerësit, por edhe shqyrtimin e të gjitha sjelljeve të tij të mëparshme, kërcënimeve që ka bërë dhe rrethanave të tjera, përfshirë moshën e viktimës.

“Vetë fakti që viktima është e mitur është një tregues i mjaftueshëm se dhuna mund të përsëritet. Përveç vlerësimit thelbësor të rrezikut, standardet ndërkombëtare dhe kombëtare kërkojnë që menjëherë të ndërmerren masa, të cilat duhet të jenë urgjente, të përshtatshme dhe efektive”, theksoi Gjajdova.

artikuj të ndërlidhura