Gjashtë ushtarë amerikanë humbin jetën pas një sulmi iranian në Kuvajt

Nga D. V.
264 e lexuar
A+A-
Rivendos

Gjashtë ushtarë amerikanë u  vranë në një sulm iranian ndaj një objekti ushtarak në Kuvajti, konfirmuan autoritetet e SHBA-së, sipas BBC.

“US Central Command”fillimisht raportoi për tre viktima, por një ditë më pas bilanci u dyfishua, pasi një ushtar ndërroi jetë nga plagët dhe dy trupa të tjerë u gjetën nën rrënoja.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, konfirmoi se një bunker amerikan në Kuvajt u godit nga një raketë e lëshuar gjatë kundërpërgjigjes fillestare të Iranit, e cila arriti të shmangë sistemet e mbrojtjes ajrore.

Ai tha se një “armë e fuqishme” goditi një “qendër taktike operacionesh të fortifikuar”, pa dhënë detaje të tjera mbi vendndodhjen.

Sipas tre zyrtarëve ushtarakë amerikanë që folën për partnerin amerikan të BBC-së, CBS News, ushtarët ndodheshin në një hapësirë të improvizuar zyre. Ata ngritën dyshime nëse objekti ishte fortifikuar siç duhet, duke theksuar se po përdorej një rimorkio si zyrë, e mbrojtur nga barriera betoni të përforcuara me çelik rreth 3,7 metra të larta.

Këto janë viktimat e vetme të konfirmuara nga ushtria amerikane që prej nisjes së ofensivës së re kundër Iranit në bashkëpunim me Izraelin. SHBA-ja ka një marrëdhënie të hershme mbrojtjeje me Kuvajtin dhe mbi 13 mijë ushtarë amerikanë janë të dislokuar në këtë vend të Gjirit.

Ndërkohë, Irani ka reaguar ndaj sulmeve kundër tij duke lëshuar raketa drejt vendeve të Gjirit që janë aleate të SHBA-së, përfshirë Bahreinin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Omanin dhe Katarin.

Në një incident të veçantë, SHBA-ja konfirmoi se tre avionë luftarakë u rrëzuan në Kuvajt si pasojë e asaj që u cilësua si “zjarr miqësor”. Pamjet treguan avionët duke u rrotulluar drejt tokës, ndërsa pilotët arritën të shpëtonin. Mediat shtetërore iraniane pretenduan se avionët ishin rrëzuar nga ushtria iraniane, por pa paraqitur prova.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër