Gjiknuri: Reforma Zgjedhore po bllokohet nga mungesa e konsensusit, opozita nuk ka sjellë propozime konkrete

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 9 nëntor, Zhurnal.mk – Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, tha sot se procesi i reformës po vonohet dhe rrezikon të mos përmbushë objektivat brenda afatit të përcaktuar për shkak të mungesës së konsensusit nga ana e opozitës.

Gjatë mbledhjes së sotme të komisionit, Gjiknuri deklaroi se puna ka mbetur pas kalendarit të parashikuar, ndërsa grupi i ekspertëve nuk ka arritur të prodhojë një produkt përfundimtar për disa prej çështjeve të rëndësishme të reformës.

Gjiknuri tha se opozita kishte marrë përsipër të paraqiste propozime për ndarjen e shtetit nga pushteti, por sipas tij, këto propozime nuk janë konkretizuar.

“Opozita nuk ka ardhur me një propozim, çfarë kufizimesh të tjera kërkohen përsa i përket ndarjes së shtetit nga pushteti”, deklaroi Gjiknuri.

Një tjetër çështje që ai ngriti ishte bllokimi i projektligjit për financimin e partive politike, për të cilin tha se ekspertët e kanë përfunduar punën, por dërgimi i tij për shqyrtim nga ekspertët ndërkombëtarë është penguar prej më shumë se një muaji.

“Ligji për financimin e partive, i cili është një ligj i parë dhe nga Komisioni i Venecias dhe nga ODIHR, dhe ekspertët e kanë përfunduar. Por mbi një muaj e ca është bllokuar dërgimi i këtij projekti për t’u parë nga ekspertët ndërkombëtarë”, tha ai.

Gjiknuri propozoi përfshirjen në rendin e ditës të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor që lidhen me ndarjen e re administrative-territoriale, duke argumentuar se bëhet fjalë për një nevojë të krijuar pas miratimit të ligjit të ri dhe caktimit të datës së zgjedhjeve vendore.

Sipas tij, ndryshimet duhet të garantojnë përfaqësimin proporcional të qyteteve dhe njësive administrative në këshillat bashkiakë, pa ndryshuar sistemin aktual zgjedhor.

“Qëllimi është që të mos ndryshohet sistemi zgjedhor, se sistemi zgjedhor është i përcaktuar që zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Bashkiak bëhet në bazë të listës së renditjes së përcaktuar”, u shpreh Gjiknuri.

Ai shpjegoi se propozimi parashikon një formulë të re të shpërndarjes së mandateve, bazuar në votat që subjektet politike marrin në njësitë përkatëse, duke përdorur formulën D’Hondt.

“Pra kjo dikton një formulë të re brenda sistemit aktual, që do të jetë prapë përfaqësim proporcional me formulën D’Hondt”, deklaroi ai, duke kërkuar që ndërhyrja të realizohet brenda muajit dhjetor.

Gjiknuri u ndal edhe te kërkesa e Komisionit Europian për miratimin sa më të shpejtë dhe me konsensus të reformës zgjedhore.

Ai paralajmëroi se mungesa e dakordësisë rrezikon të pengojë përmbushjen e objektivave të komisionit, afati i të cilit është 30 dhjetori.

“Nuk duhet përdorur integrimi europian thjesht si instrument bllokimi. Vërtetë është një qëllim i lartë që e kanë të gjithë shqiptarët edhe të gjitha partitë tona e dëshirojnë atë, por kjo nuk do të thotë që ajo të kthehet në një mekanizëm të bllokimit. Është i vetmi komision që bllokohet, në çdo kohë mund të bllokohet. Në qoftë se njëra palë nuk do, ky komision s’mund të bëjë dot asgjë”, u shpreh ai.

Sa i përket propozimeve për ndryshimin e sistemit zgjedhor, përfshirë proporcionalin kombëtar me lista të hapura dhe balotazhin në zgjedhjet vendore, Gjiknuri tha se këto janë çështje që kërkojnë diskutim më të gjerë dhe mund të prekin edhe Kushtetutën.

Ai bëri të ditur se mazhoranca ka paraqitur si mundësi kompromisi diskutimin për uljen e numrit të deputetëve, në rast se palët bien dakord për kalimin drejt një sistemi proporcional kombëtar.

“Oferta jonë ka qenë në tavolinë, nëse ne do të duam të ndryshojmë sistemin zgjedhor, përfshirë edhe variantin e një sistemi proporcional, duhet të adresojmë njëkohësisht dhe numrin e mandateve të deputetëve”, deklaroi Gjiknuri.

Në përfundim, ai i bëri thirrje opozitës që të paraqesë sa më shpejt propozimet e saj, duke theksuar se ato do t’i nënshtrohen ekspertizës juridike dhe shqyrtimit nga institucionet ndërkombëtare.

“Jo çdo propozim që do vijë nga ana juaj është automatikisht i pranueshëm, përkundrazi do t’i nënshtrohet një ekspertize juridike, pse jo dhe një opinioni nga ODIHR-i”, përfundoi Gjiknuri.

artikuj të ndërlidhura