Tiranë, 23 tetor, Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, bëri të ditur se digjitalizimi i shërbimeve përmbarimore synon të lehtësojë aksesin e qytetarëve në zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe të reduktojë kohën e humbur në sportele.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gogu theksoi rëndësinë e përmbarimit në garantimin e zbatimit të vendimeve të gjykatave.
“Të fitosh një çështje në gjykatë është një hap. Që ky vendim të zbatohet është një hap tjetër”, u shpreh Gogu.
Ministri Gogu nënvizoi se përmbarimi bën të mundur që një detyrim të përmbushet dhe një e drejtë e njohur nga gjykata të mos mbetet vetëm në letër.
Sipas të dhënave të publikuara, në 22 zyrat përmbarimore vendore janë trajtuar 195 dosje, përfshirë çështje të ekzekutuara, të pushuara, të zgjidhura në rrugë ligjore ose të transferuara. Gjithashtu, janë regjistruar 385 dosje të reja për fillimin e procedurave të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore.
Në kuadër të shërbimeve digjitale, janë lëshuar 299 vërtetime online përmes platformës e-Albania, nga të cilat 284 lidhen me detyrimet përmbarimore dhe 15 me pensionin ushqimor.
“Drejtësia duhet të jetë jo vetëm e drejtë në vendim, por edhe e shpejtë dhe e thjeshtë në zbatim”, theksoi Gogu.
