Gogu: Ndihma juridike falas, mbështetje për qytetarët që përballen me padrejtësi

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 21 tetor, Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, theksoi sot rëndësinë e ndihmës juridike falas për qytetarët që përballen me konflikte dhe nuk kanë mundësi financiare të paguajnë një avokat.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gogu nënvizoi se dhuna nuk mund të jetë zgjidhje për mosmarrëveshjet dhe se çdo qytetar duhet të ketë mundësi të mbrohet dhe të kërkojë zgjidhje përmes ligjit.

“Përballë dhunës, askush nuk duhet të ndihet vetëm apo i pambrojtur. Ligji është aty për të garantuar të drejtat e çdo qytetari dhe për t’i dhënë zgjidhje çdo situate përmes rrugëve ligjore”, u shpreh ministri.

Ai vuri në dukje se ndihma juridike falas u mundëson qytetarëve të marrin mbështetjen e nevojshme ligjore edhe kur nuk kanë mundësi të përballojnë kostot e një avokati.

Në mbështetje të këtij mesazhi, Gogu ndau edhe historinë e një qytetareje nga Tirana, e cila përballet me një konflikt pronësie dhe pretendon se ka qenë objekt presioni dhe kërcënimesh nga fqinji i saj.

Sipas dëshmisë së qytetares, pas konfliktit ajo iu drejtua policisë dhe bëri kallëzim penal, pasi ndihej e rrezikuar. Më pas, me ndihmën e një personi që e informoi për shërbimin e ndihmës juridike falas, ajo siguroi një avokat që e mbështeti në ndjekjen e çështjes.

“Asnjë mosmarrëveshje nuk duhet të degjenerojë në dhunë. Por nuk mjafton vetëm të themi ‘zgjidheni me ligj’; duhet edhe ta mundësojmë këtë”, theksoi Gogu.

Ministri u bëri thirrje qytetarëve që kanë nevojë për mbështetje ligjore të drejtohen te shërbimi i ndihmës juridike falas.

“Mos qëndroni vetëm përballë çdo padrejtësie”, ishte mesazhi i tij.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër