Tiranë, 9 nëntor, Zhurnal.mk – Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja bëri me dije se punimet për ndërtimin e Qendrës së re Multifunksionale në Parkun Arkeologjik Bylis–Klos po avancojnë, ndërsa struktura e re pritet të jetë gati brenda vitit të ardhshëm.
Aktualisht, puna në terren është përqendruar te armatura dhe ngritja e karabinasë, duke shënuar një tjetër fazë të rëndësishme drejt përfundimit të objektit.
Projekti ka kaluar një proces të gjatë përgatitor, që ka përfshirë hartimin dhe miratimin e projektit teknik, pajisjen me autorizimet përkatëse dhe zhvillimin e procedurave të prokurimit. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe kërkimit arkeologjik në zonën ku po ndërtohet qendra. Gjatë gërmimeve janë identifikuar dhe dokumentuar rreth 60 struktura funerare, të cilat kanë sjellë të dhëna të reja mbi historinë e sitit dhe kanë orientuar vijimin e punimeve në respekt të trashëgimisë arkeologjike.
Qendra e re do të shërbejë si një hapësirë e rëndësishme për vizitorët, duke përfshirë ambiente muzeale dhe interpretimi të trashëgimisë, hapësira për kërkim shkencor e konservim, si dhe shërbime dhe ambiente për aktivitete kulturore e edukative.
Paralelisht, vijon puna për infrastrukturën mbështetëse, sistemimin e hapësirave të jashtme, parkimet dhe përmirësimin e kushteve të aksesit dhe sigurisë në park.
Ky investim synon të pasurojë përvojën e vizitorëve dhe të forcojë promovimin e trashëgimisë kulturore të parkut Bylis-Klos, duke e kthyer në një destinacion edhe më të plotë për turizmin kulturor.
Investimi realizohet në kuadër të programit “EU for Economic Development – Tourism-led Local Economic Development, with a Focus on Cultural Heritage”, bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian dhe Agjencia Italiane për Bashkëpunim për Zhvillim (AICS), dhe zbatohet nga AICS Tirana në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe institucionet përgjegjëse.
