Goxhobelli: Mbi 28 mijë vendime legalizimi në 9 muaj, 4.2 milionë karta pasurie të digjitalizuara

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 07 tetor, Zhurnal.mk – Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka emetuar mbi 28 mijë vendime për legalizime gjatë 9 muajve të vitit 2026, më shumë se gjatë gjithë vitit 2025, ndërsa 4.2 milionë karta pasurie janë digjitalizuar, në kuadër të procesit të modernizimit të shërbimeve të pronësisë.

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, deklaroi se puna intensive gjatë këtij viti synon përshpejtimin e procesit të legalizimeve dhe krijimin e një tregu më të shpejtë dhe transparent të pronës.

Sipas saj, digjitalizimi i 4.2 milionë kartelave të pasurisë përbën një nga prioritetet e procesit të modernizimit të Kadastrës dhe lidhet edhe me përmbushjen e angazhimeve në kuadër të integrimit europian.

Gjatë vitit 2026 ka nisur gjithashtu projekti kombëtar për digjitalizimin dhe gjeoreferencimin e 38 mijë hartave fizike, një proces që synon përmirësimin e administrimit të të dhënave kadastrale dhe lehtësimin e shërbimeve për qytetarët.

Regjistrimi fillestar ka arritur në 95,3% të territorit të vendit, ndërsa procesi i kalimit të tokës bujqësore në pronësi është shtrirë në 59 fshatra, me objekt trajtimin e rreth 1 mijë kërkesave.

Goxhobelli theksoi se përtej rezultateve të matshme, një tjetër ndryshim lidhet me mënyrën e komunikimit dhe shërbimit ndaj qytetarëve.

“Pak kohë më parë kemi nisur trajtimin derë më derë të banesave pa dokumentacion pronësie. Aktualisht ekipet e Kadastrës po punojnë në Himarë dhe do të vijojnë punën në zonat kadastrale, sipas nevojave që paraqiten”, tha ajo.

Sipas Goxhobellit, puna e deritanishme përbën vetëm një pjesë të rrugës drejt garantimit të pronësisë së ligjshme.

“Ajo që kemi bërë deri tani është vetëm një pjesë e rrugës që kemi përpara. Sfida është të çojmë pronësinë e ligjshme përpara. Puna vazhdon me objektiv: asnjë pronë pa dokument dhe asnjë person pa përgjigje”, deklaroi drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër