Shkup, 23 tetor Zhurnal.mk – Gratë shtatzëna dhe fëmijët vazhdojnë të tregojnë interesin më të ulët për vaksinimin kundër gripit sezonal në Maqedoninë e Veriut, ndonëse bëjnë pjesë në grupet me rrezik më të lartë. Në anën tjetër, interesimi më i madh për vaksinim vërehet te personat mbi 65 vjeç dhe te të sëmurët kronikë.
Pediatrit theksojnë se numri i kontrolleve ambulatore në Klinikën Universitare për Sëmundje të Frymëmarrjes te Fëmijët “Kozle” është në rritje, gjë që është e pritshme për këtë periudhë të vitit. Megjithatë, deri më tani nuk është izoluar asnjë rast i gripit.
“Fatkeqësisht, në vendin tonë ende është e ulët shkalla e vaksinimit kundër gripit sezonal te gratë shtatzëna dhe fëmijët, por shohim se me kalimin e viteve ky trend po rritet. Ne gjithmonë rekomandojmë që fëmijët nga gjashtë muaj deri në pesë vjeç, për të cilët vaksinimi është falas, ta marrin vaksinën kundër gripit sezonal. E njëjta vlen edhe për fëmijët me sëmundje kronike”, deklaroi doktori Filip Doksimovski nga Klinika Universitare për Sëmundje të Frymëmarrjes te Fëmijët “Kozle”.
Ai theksoi se vaksina, sikurse vaksinat e tjera, mbron nga format më të rënda të sëmundjes.
“Gripi sezonal më së shpeshti shfaqet me simptoma të frymëmarrjes, por gjatë infeksionit mund të paraqiten edhe simptoma neurologjike dhe sistemike. Prandaj, vaksina mbron nga pasqyra më e rëndë klinike e sëmundjes”, sqaroi Doksimovski.
Gjatë kësaj periudhe, kontrollet ambulatore më së shpeshti lidhen me fëmijë që kanë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes.
“Fëmijët e hospitalizuar kanë infeksione të rrugëve të poshtme të frymëmarrjes dhe pneumoni, me origjinë virale ose bakteriale. Disa prej tyre kanë nevojë edhe për mbështetje me oksigjen, por kjo nuk është diçka e papritur për këtë periudhë të vitit”, shtoi ai.
I pyetur se sa fëmijë janë aktualisht në mbështetje me oksigjen, Doksimovski u përgjigj se bëhet fjalë për rreth pesë deri në gjashtë fëmijë, gjendja shëndetësore e të cilëve, sipas tij, është stabile.
Mjekët u bëjnë thirrje prindërve që, sapo të vërejnë simptoma si kollë më të theksuar ose temperaturë të lartë, të mos i dërgojnë fëmijët në çerdhe apo shkollë.
Ata rekomandojnë që fëmijët të qëndrojnë në shtëpi dhe të marrin trajtim simptomatik në konsultim me mjekun amë, i cili do ta përcjellë gjendjen dhe do të reagojë me kohë nëse paraqitet nevoja.
