Hamza: Kurti po e çon vendin drejt një anarkie politike, që mund ta destabilizojë shtetin tonë të ri

Nga D. V.
436 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 28 prill, Zhurnal.mk – Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka reaguar ndaj përpjekjeve të Kurtit për ta zgjedhur presidentin në mënyrë antikushtetuese.

Hamza përmes një reagimi në rrjetin e tij social, ka thënë se kjo është shkelje flagrante e Kushtetutës dhe sulm ndaj shtetit të së drejtës, që minon rendin tonë demokratik.

Ai ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës do të qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të Kushtetutës, institucioneve dhe shtetit të së drejtës, duke I bërë thirrje edhe qytetarëve që të jenë të vëmendshëm dhe të mos lejojnë shkelje që dëmtojnë të ardhmen e vendit.

“Qytetarë të nderuar,

Sot jemi përballë një akti të rrezikshëm për të ardhmen e shtetit tonë. Përpjekja për zgjedhjen e Presidentit në mënyrë të njëanshme dhe me shkelje flagrante të Kushtetutës është sulm ndaj shtetit të së drejtës, që minon rendin tonë demokratik.

Partia Demokratike e Kosovës e kundërshton çdo tendencë politike për t’i shpërfillur procedurat kushtetuese. Ne nuk do të lejojmë që një subjekt politik ta shfrytëzojë pushtetin për të injoruar vullnetin e qytetarëve dhe për t’i dobësuar institucionet legjitime të vendit tonë.

Veprimet e tilla ua mohojnë qytetarëve të drejtën për të vendosur për të ardhmen e tyre dhe rrezikojnë ta çojnë vendin drejt një anarkie politike, e cila mund ta destabilizojë shtetin tonë të ri.

Kosova është ndërtuar mbi vlerat e lirisë, drejtësisë e barazisë dhe nuk do të lejojmë që këto vlera të cenohen përmes abuzimit me pushtetin apo shkeljes së Kushtetutës.

Partia Demokratike e Kosovës do të qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të Kushtetutës, institucioneve dhe shtetit të së drejtës. I bëjmë thirrje edhe qytetarëve që të jenë të vëmendshëm dhe të mos lejojnë shkelje që dëmtojnë të ardhmen e vendit.

Nuk mund të ecet përpara duke shkelur Kushtetutën dhe ligjet. Ne do ta mbrojmë shtetin dhe të ardhmen e tij!”, ka shkruar Hamza.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër