Prishtinë, 21 tetor, Zhurnal.mk – Bedri Hamza, në konferencën për media, ku njoftoi dorëheqjen nga pozita e kryetarit të partisë, ka folur edhe për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke shprehur përkushtimin e tij dhe të PDK-së për vazhdimin e angazhimit për lirimin e tyre, raporton Ekonomia Online.
Hamza tha se deri në momentin e fundit kishte besuar se pas 16 shtatorit do të krijoheshin rrethanat që ish-krerët e UÇK-së të ktheheshin dhe të vazhdonin rrugëtimin e tyre politik.
Megjithatë, sipas tij, zhvillimet e asaj date e kanë larguar edhe më shumë këtë shpresë.
“Kam besuar deri në momentin e fundit se pas 16 shtatorit, do të mund ta adresoj këtë përgjegjësi, të luftës dhe të paqes. Kam besuar se menjëherë pas 16 shtatorit, ata do të ktheheshin dhe do të vazhdonin vetë rrugëtimin e tyre politik. Edhe përkundër rrethanave të mia personale, kam qëndruar dhe kam vazhduar me shpresën se kjo ditë po vinte. Por 16 shtatori, faktikisht dhe padrejtësisht, na e bëri këtë shpresë edhe pak më larg”, deklaroi Hamza.
Ai theksoi se, pavarësisht rrethanave, angazhimi për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së do të vazhdojë, duke e cilësuar drejtësinë, të vërtetën dhe kthimin e tyre pranë familjeve e Kosovës si qëllime për të cilat nuk do të heqin dorë.
“Megjithatë, as unë, as Partia Demokratike e Kosovës, nuk do të dorëzohemi kurrë në përpjekjet tona për lirimin e tyre. Do të vazhdojmë të angazhohemi për drejtësi, për të vërtetën dhe për kthimin e tyre pranë familjeve, pranë popullit dhe pranë Kosovës. Sepse lirinë e tyre e duam edhe më shumë sesa lirinë tonë”, tha ai.
Në konferencën për media, Hamza iu drejtua edhe anëtarëve dhe mbështetësve të PDK-së, duke i falënderuar për besimin dhe mbështetjen gjatë kohës sa ishte në krye të partisë.
“Të dashur anëtarë dhe mbështetës të Partisë Demokratike të Kosovës, ju falënderoj të gjithëve për besimin, mbështetjen dhe për çdo ditë që kemi kaluar së bashku, në ditë të mira dhe në ditë të vështira. Nuk pretendoj se gjithçka ka qenë e përsosur, por mund të them se kam vepruar me bindje se interesi i partisë dhe i Kosovës duhet të jetë gjithmonë mbi interesin tim personal”, u shpreh Hamza.
Ai tha se po e përfundon detyrën me respekt për anëtarësinë dhe me bindjen se ka dhënë kontributin e tij në një periudhë të vështirë për partinë.
“Sot po e përfundoj këtë detyrë, me respekt për ju dhe me ndërgjegjen e pastër, se kam dhënë kontributin tim në një kohë të vështirë”, deklaroi ai.
Hamza theksoi se lidhja e tij me PDK-në nuk përfundon me largimin nga pozita e kryetarit, duke nënvizuar se përkushtimi ndaj partisë do të vazhdojë edhe jashtë drejtimit të saj.
“Unë nuk e dua, nuk e dua vetëm për ta udhëhequr, e kam dashur dhe do ta du edhe pa e udhëhequr. Jam i bindur se Lëvizja do të vazhdojë të ecë përpara, të forcohet dhe të rritet. Jam i bindur se Lëvizja do të vazhdojë të jetë në duart e njerëzve që duan Kosovën dhe besojnë në ardhmërinë e saj”, tha Hamza.
Ai rikujtoi rrugëtimin historik të bashkimit për liri dhe ndërtimin e shtetit, duke theksuar se përgjegjësia e sotme është ruajtja e arritjeve dhe krijimi i kushteve për një të ardhme më të mirë.
“Dikur ne u bashkuam për ta fituar lirinë, pastaj u bashkuam për ta ndërtuar shtetin. Sot, detyra jonë është ta ruajmë atë që kemi ndërtuar dhe t’ua dalim brezave që e bëjnë një PDK dhe një Kosovë më të mirë. Unë do të jem gjithmonë në shërbim tuaj dhe të Kosovës”, shtoi Hamza.
