Haxhiu dekoron komandantin Adem Shehi me “Urdhrin e Lirisë” në Ditën e Çlirimit

Nga D. V.
788 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 12 qershor, Zhurnal.mk – Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dekoruar komandantin Adem Shehi me dekoratën “Urdhri i Lirisë”, në kuadër të shënimit të Ditës së Çlirimit të Kosovës.

Sipas Haxhiut, Adem Shehi, me origjinë nga Farka e Tiranës, iu bashkua Kosovës në një nga periudhat më të vështira të saj, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte nevojë për kuadro të përgatitura ushtarake dhe organizative.

Ajo vlerësoi se Shehi solli në Kosovë përvojën e oficerit profesionist, njohuritë ushtarake dhe përkushtimin për të ndihmuar në organizimin dhe stërvitjen e qindra vullnetarëve dhe ushtarëve të UÇK-së. Më vonë, ai mori detyrën e komandantit të Brigadës 153 “Hyzri Talla” në Zonën Operative të Llapit, duke kontribuar në forcimin e njësive që vepruan në rajonin e Llapit dhe Gollakut.

“Si shumë oficerë dhe vullnetarë nga Shqipëria, ai e dinte se kur Kosova ishte në rrezik, kufiri nuk mund të ishte arsyetim për të qëndruar larg”, ka theksuar Haxhiu.

Sipas saj, dekorata “Urdhri i Lirisë” është një vlerësim për shërbimin, profesionalizmin, sakrificën dhe kontributin e Adem Shehit në luftën për lirinë e Kosovës, si dhe për solidaritetin e treguar nga shqiptarët në momentet vendimtare të historisë së vendit.

Në fund, ushtruesja e detyrës së Presidentes shprehu mirënjohje për komandant Adem Shehin dhe për të gjithë ata që, sipas saj, i dhanë Kosovës dije, armë, besë dhe jetë në rrugën drejt lirisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër