Hita me drejtuesit e policive: Garantim të sigurisë në shkolla, trajtim me prioritet të rasteve të dhunës në familje

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 10 nëntor, Zhurnal.mk – Rritja e sigurisë publike, garantimi i sigurisë në shkolla, parandalimi i ngjarjeve kriminale dhe ndjekja e konflikteve kanë qenë në fokus të takimit të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, me drejtorët vendorë të Policisë.

Gjatë takimit, Hita vlerësoi punën e bërë për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe falënderoi drejtuesit për angazhimin, por theksoi se rezultatet e arritura nuk janë të mjaftueshme dhe se kërkohet përmirësim i mëtejshëm i parametrave të sigurisë.

Ai nënvizoi se rezultatet konkrete, shërbimi me etikë, humanizëm dhe përkushtim ndaj qytetarëve janë elemente thelbësore për suksesin e Policisë dhe forcimin e besimit të publikut.

Drejtori i Përgjithshëm kërkoi angazhim maksimal nga drejtuesit vendorë, duke u ndalur te nevoja për rritjen e cilësisë së informacioneve për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, përmirësimin e imazhit të Policisë dhe komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarët.

Ai kërkoi gjithashtu forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet drejtorive vendore të policisë, strukturave kufitare dhe institucioneve të tjera, me synim reagimin në kohë reale.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua kapjes së personave në kërkim me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shtimit të hetimeve proaktive dhe goditjes së kriminalitetit në fushën e narkotikëve, trafiqeve dhe krimit ekonomik.

Sa i përket sigurisë në shkolla, Hita kërkoi angazhim të drejtpërdrejtë të drejtuesve vendorë, rritje të pranisë policore dhe parandalim të konflikteve mes nxënësve, në bashkëpunim me stafet arsimore, oficerët e sigurisë dhe prindërit.

Në fokus të porosive ishte edhe trajtimi me prioritet i rasteve të dhunës në familje, si dhe intensifikimi i veprimeve parandaluese dhe operacionale kundër armëmbajtjes pa leje, mbështetur në informacione dhe hetime cilësore.

Në përfundim, Drejtori i Përgjithshëm theksoi se ecuria e secilit drejtues në detyrë do të varet nga rezultatet konkrete të arritura në përmbushjen e përgjegjësive.

artikuj të ndërlidhura