Tiranë, 10 nëntor, Zhurnal.mk – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, bëri sot publike rezultatet e punës së Policisë së Shtetit në luftën kundër kultivimit, prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike gjatë vitit 2026, në një konferencë të përbashkët me përfaqësuesit e Guardia di Finanza (GdF).
Gjatë fjalës së tij, Hita vlerësoi bashkëpunimin me partnerët italianë, duke theksuar se gjatë këtij viti është rritur angazhimi në drejtim të parandalimit të kultivimit të kanabisit, kontrollit të territorit dhe goditjes së grupeve kriminale.
“Gjatë këtij viti janë evidentuar dhe goditur në tentativë për t’u kultivuar në tokë, 132 000 fidanë kanabisi, krahasuar me 17 447 fidanë gjatë vitit të kaluar. Vetëm kjo shifër dëshmon më së miri orientimin e qartë të strukturave tona drejt parandalimit të kësaj veprimtarie kriminale”, deklaroi Hita.
Sipas tij, në kuadër të operacioneve kundër kultivimit të bimëve narkotike, janë arrestuar, ndaluar dhe proceduar penalisht 165 autorë.
“Gjithashtu, për vepra penale që lidhen me shpërdorimin e detyrës dhe moskallëzimin e krimit, janë proceduar penalisht 89 kryetarë fshatrash, punonjës të OSHEE-së dhe punonjës të ngarkuar me shërbimin pyjor dhe mjedisin. Njëkohësisht, strukturat e Policisë së Shtetit intensifikuan kontrollet për të evidentuar dhe goditur edhe veprimtarinë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, nëpërmjet përdorimit të llambave, veprimtari e cila u godit në 17 raste”, tha ai.
Ai theksoi se në kontrollin e territorit janë përdorur edhe 84 dronë, ndërsa bashkëpunimi me Guardia di Finanza ka mundësuar realizimin e 62 misioneve të fluturimit, 10 më shumë se një vit më parë.
“Besimi i ndërsjellë, i ndërtuar ndër vite me kolegët dhe miqtë tanë të GdF-së, si dhe teknologjia e tyre e avancuar, kanë qenë një mbështetje e fuqishme për Policinë e Shtetit në goditjen e kultivimit të bimëve narkotike”, u shpreh kreu i Policisë.
Hita bëri të ditur gjithashtu se në shtatë raste është kërkuar edhe asistenca e helikopterëve nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, për kontrollin e zonave të thella malore dhe territoreve me vështirësi aksesimi.
Në fjalën e tij, Hita u ndal edhe tek lufta kundër shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike pranë institucioneve arsimore dhe ambienteve që frekuentohen nga të rinjtë.
“Lufta kundër kanabisit nuk përfundon me parandalimin e kultivimit apo asgjësimin e bimëve narkotike. Ajo duhet të vijojë deri në goditjen e zinxhirit të shpërndarjes dhe shitjes, me qëllim që lëndët narkotike të mos përfundojnë te të miturit, të rinjtë dhe nxënësit
“Konkretisht, gjatë vitit 2026, janë finalizuar 31 operacione, gjatë të cilave janë goditur dhjetëra episode të shitjes së lëndëve narkotike në afërsi të perimetrit të sigurisë në shkolla. Ndër to, veçohen operacionet që kanë pasur ndikim të gjerë në qarqet kryesore të vendit, bazuar në sasinë e lëndëve narkotike të sekuestruara dhe numrin e shtetasve të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale për këtë veprimtari kriminale”, tha ai.
Ai nënvizoi se mbrojtja e të rinjve nga fenomeni i narkotikëve kërkon bashkëpunimin e Policisë së Shtetit me Ministrinë e Arsimit, drejtuesit e shkollave, oficerët e sigurisë, stafet pedagogjike dhe prindërit.
Duke folur për prioritetet e vitit të ardhshëm, Hita deklaroi se Policia e Shtetit do të intensifikojë kontrollet dhe veprimet hetimore, me synim identifikimin e rrjeteve që importojnë fara narkotike, si dhe goditjen e organizatorëve, financuesve dhe përfituesve të kësaj veprimtarie kriminale.
“Ndërkohë, për Policinë e Shtetit, viti 2027 do të vijojë të jetë një sfidë në parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, pavarësisht rezultateve pozitive të arritura gjatë viteve të fundit”, tha ai.

