Hita vizitë në Akademinë e Policisë në Itali: Arsimimi dhe formimi profesional, baza për trupë moderne

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 12 nëntor, Zhurnal.mk – Gjatë vizitës zyrtare në Itali, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, së bashku me delegacionin që e shoqëronte, vizitoi Akademinë e Policisë së Italisë, ku u prit nga drejtori i saj, Mario Viola.

Gjatë takimit, Drejtues Madhor Skënder Hita vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve, duke theksuar rëndësinë e arsimit dhe formimit profesional në ndërtimin e një policie moderne dhe profesionale.
“Një polici profesionale dhe moderne ndërtohet mbi përgatitjen cilësore, integritetin dhe aftësitë e punonjësve të saj. Për këtë arsye, zhvillimi i Akademisë së Sigurisë është një nga prioritetet e mia. Synimi ynë është të zgjerojmë bashkëpunimin me institucionet tuaja arsimore përmes programeve të përbashkëta akademike, shkëmbimit të pedagogëve dhe ekspertëve, trajnimeve të specializuara”, u shpreh Hita.
Drejtori i Akademisë së Policisë italiane, Mario Viola, vlerësoi progresin e Akademisë së Sigurisë dhe rikonfirmoi mbështetjen për zhvillimin e saj.
“Vlerësoj progresin e Akademisë së Sigurisë të Policisë shqiptare, e cila tashmë është e akredituar dhe ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me shumë akademi në rajon, Evropë dhe ShBA. Jemi të lumtur që kontribuojmë në fuqizimin e saj. Akademia e Policisë italiane do të vijojë ta mbështesë përmes literaturës, trajnimeve, programit Master dhe çdo nevoje tjetër”, u shpreh Viola.
Ndërsa rektori i Akademisë së Sigurisë, Prof. Ilirjan Mandro, falënderoi autoritetet dhe drejtuesit e Akademisë së Policisë italiane, për mbështetjen dhe kontributin në zhvillimin akademik e profesional.
Ai vlerësoi rëndësinë e përafrimit të sistemeve të arsimit policor dhe vijimit të bashkëpunimit në programin Master “Hetimi i Krimit”, në fushën e trajnimeve, shkëmbimit të lektorëve dhe ndarjes së eksperiencave në policimin në komunitet.
Bashkëpunimi në fushën e arsimit dhe formimit policor përbën një investim të drejtpërdrejtë në profesionalizmin e punonjësve të Policisë dhe në rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër