Hoti: Ndërprerja e energjisë në Kuvend tregon ku është katandisur qeverisja e këtyre dështakëve

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 20 nëntor, Zhurnal.mk – Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë Kurti për dështim në menaxhimin e situatës me energji elektrike.

Duke komentuar miratimin e masave nga Kuvendit, mbrëmë në orën e vona, kur edhe rryma u ndërpre, Hoti tha se kjo situatë tregon se “ku është katandisur qeverisja e këtyre dështakëve.”

“Në vend të këtij vendimi për masa në energji, do të duhej të miratohej ndonjë kredi garantuese për KEK-un për ndërtim të termocentraleve të reja, apo miratim i ndonjë projekti me partneritet për termocentrale të reja. Dështimin e qeverisjes 6-vjeçare dhe varfërinë e mendimit politik të këtyre dështakëve e tregojnë kontratat për shitjen e qymyrit në Maqedoninë e Veriut, si dhe blerjen e energjisë elektrike nga i njëjti vend me çmim deri në 10 vish më të lartë se kostoja e prodhimit të energjisë nga KEK-u.

Sikur të mos anulohej projekti Kosova e Re, sot, pas gjashtë vitesh, do të furnizoheshim nga Termocentrali Kosova e Re me çmim fiks prej 80 euro për MWh. Sikur të mos anulohej projekti i gazit, ai projekt mund të ishte në finalizim e sipër.”

Deputeti tha se problemet me energji do të vazhdojnë në vend dhe pasojat do t’i bartin të gjithë.

“Kjo klasë politike ka sjellë vetëm mjerim ekonomik e politik për Kosovën. Në mungesë të çfarëdo projekti për ndërtim të termocentraleve të reja, ne sot e dimë se edhe për së paku 5 vite do të kemi të njëjtat probleme me energji. Pasojat e kësaj situate po i bartim të gjithë. Bizneset tona po bëhen jokonkurruese për shkak të kostove më të larta.”

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër