Hungaria dhe Ukraina arrijnë marrëveshje për të drejtat e pakicave, lehtësohet rruga drejt negociatave me BE-në

Nga D. V.
614 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Budapest, 04 qershor, Zhurnal.mk – Hungaria dhe Ukraina kanë arritur një marrëveshje për të drejtat e pakicës etnike hungareze në Ukrainë, një hap që mund të ndihmojë përparimin e përpjekjeve të Kievit, për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kryeministri hungarez, Peter Magyar, njoftoi se marrëveshja u arrit pas tre javësh negociatash dhe do të forcojë të drejtat arsimore, gjuhësore, kulturore dhe politike, të më shumë se 100 mijë hungarezëve etnikë, që jetojnë në rajonin perëndimor të Transkarpatias në Ukrainë.

“Në vetëm tre javë kemi arritur atë që Viktor Orban dhe qeveria e tij nuk arritën ta realizonin në dhjetë vjet”, shkroi Magyar në platformën X.

Sipas tij, Ukraina është angazhuar të zbatojë ndryshimet ligjore dhe t’i përfshijë ato në planin e veprimit të dorëzuar pranë Bashkimit Evropian.

Marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje ishin përkeqësuar gjatë qeverisjes së Orban, i cili shpesh bllokonte nismat e BE-së në mbështetje të Ukrainës.

Më herët gjatë kësaj jave, Magyar deklaroi se mosmarrëveshja për të drejtat e pakicave, pritej të zgjidhej shpejt dhe shprehu gatishmërinë për t’u takuar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Megjithatë, pavarësisht marrëveshjes, Magyar theksoi se Hungaria vazhdon të kundërshtojë procesin e përshpejtuar të anëtarësimit të Ukrainës në BE.

Ai tha se Budapesti do ta mbështeste anëtarësimin e Ukrainës, nëse Kievi përfundon të gjitha kapitujt e negociatave brenda 10 deri në 15 viteve të ardhshme dhe nëse kjo mbështetet përmes një referendumi me fuqi detyruese ligjore.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër