I akuzuari për kanosjen e prezantuesit Alaudin Hamiti pranon fajësinë

Nga D. V.
282 e lexuar
A+ A-
Rivendos

I akuzuari Liman Berisha, për kanosjen e moderatorit Alaudin Hamiti, ka pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar.

Këtë deklarim ai e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori Arian Frrokaj.

I akuzuari Berisha deklaroi se ndihet fajtor dhe shprehu pendesë për rastin e ndodhur, duke theksuar se nga ai incizim nuk ka pasur asgjë kundër të dëmtuarit Alaudin Hamiti.

 Foto: Betimipërdrejtësi

Ai kërkoi falje ndaj tij dhe familjes së tij, si dhe i propozoi gjykatës që gjatë matjes së dënimit t’i shqiptohet një dënim sa më i butë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Gojart Zymberi, deklaroi se e mbështet deklarimin e klientit të tij, duke shtuar se ai nuk ka pasur ndonjë qëllim për rrezik real apo serioz ndaj të dëmtuarit, dhe se nga deklarimi i tij vërehet se bëhet fjalë për një reagim emocional.

Po ashtu, ai i propozoi gjykatës që të aprovojë pranimin e fajësisë dhe të shqiptojë një dënim sa më të butë, si dhe të ndërpritet masa e arrestit shtëpiak për të mbrojturin e tij.

Prokurori i shtetit, Arian Frrokaj, nuk e kundërshtoi pranimin e fajësisë, duke theksuar se ai mbështetet në dispozitat ligjore në fuqi dhe se gjatë caktimit të dënimit duhet të merren parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

 Foto: Instagram

Ndërkaq, përfaqësuesja e palës së dëmtuar, avokatja Blinera Osmani, tha se e mbështet në tërësi qëndrimin e prokurorit, duke theksuar se si pasojë e kërcënimit serioz, i dëmtuari ka përjetuar ndjenjë të vazhdueshme pasigurie për jetën dhe integritetin e tij personal.

Sipas saj, kjo gjendje ka ndikuar drejtpërdrejt në gjendjen emocionale të tij, duke i shkaktuar ankth, stres të vazhdueshëm dhe çrregullim në jetën e përditshme.

Ajo propozoi që gjykata t’i shqiptojë të akuzuarit dënimin në përputhje me kërkesën e prokurorisë.

Pala e dëmtuar, Alaudin Hamiti, tha se e mbështet përfaqësuesen e tij dhe shtoi se dëshiron të dijë arsyet e kërcënimit, pasi që nuk e njeh të akuzuarin dhe nuk ka kërcënuar askënd.

Pranimi i fajësisë u aprovua nga gjyqtari i rastit, Eroll Gashi, i cili tha se lidhur me masën e arrestit shtëpiak do të vendoset me rastin e shpalljes së aktgjykimit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të datës 19 mars 2026, më 26 nëntor 2024, rreth orës 14:30, në Facebook, në adresën e Klan Kosovës, i pandehuri Liman Berisha, në formë shkrimi dhe mesazhesh zanore, ka dërguar porosi kërcënuese ndaj moderatorit Alaudin Hamiti, duke shkruar: “Edi (ish-banor i programit) është nipi jem, atë fjalë që ia ke thanë, Alaudin, besom ka me pagu me jetë, dhe po e rrite atë ton, ka me hanger plumbin shpejt”.

Sipas aktakuzës, me këtë veprim i dëmtuari ka ndjerë frikë dhe pasiguri.

Prandaj, Berisha ngarkohet me veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër