Tiranë, 7 shtator Zhurnal.mk – Paolo Zampolli, i dërguari special i administratës së presidentit amerikan Donald Trump për Partneritetet Globale, ndodhet në Tiranë, ku ka nisur një seri takimesh me përfaqësues të politikës shqiptare dhe të komunitetit bektashi.
Ndalesa e parë e zyrtarit amerikan ishte në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, ku u takua me Kryegjyshin Botëror, Baba Mondin. Vizita lidhet me aktivitetet kushtuar Nënë Terezës, ndërsa zhvillohet në një moment kur projekti për krijimin e një entiteti sovran bektashi në Tiranë është rikthyer në vëmendje.
Pas takimit në Kryegjyshatë, Zampolli zhvilloi një takim me kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Në axhendën e tij është parashikuar edhe një takim me kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ndërsa pritet të ketë kontakte edhe me përfaqësues të qeverisë shqiptare.
Sipas burimeve të cituara nga Gazeta Shqip, një prej çështjeve të rëndësishme që lidhet me takimet është projekti për krijimin e të ashtuquajturit “Shteti Sovran Bektashi”. Megjithatë, deri tani nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse kjo është tema kryesore e vizitës së Zampollit në Shqipëri.
Ambasada amerikane në Tiranë nuk ka publikuar ende një njoftim zyrtar për vizitën dhe përmbajtjen e bisedimeve.
Vizita merr një peshë të veçantë për shkak të profilit të Zampollit si i dërguar i administratës Trump dhe axhendës së tij që përfshin takime me përfaqësues të mazhorancës, opozitës dhe komunitetit bektashi.
