Tetovë, 31 maj Zhurnal.mk – Në kuadër të Kongresit të parë të “Lidhjes Shqiptare”, deputetja Ilire Dauti ka mbajtur një fjalim politik ku theksoi se kauzat e vërteta politike nuk krijohen në zyra apo institucione, por burojnë nga nevojat e qytetarëve dhe realiteti në terren.
Ajo falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar ndër vite, duke theksuar se përmes angazhimit të përbashkët sot jepet përgjigje për sfidat e përditshme me të cilat përballen qytetarët.
“Ky nuk është vend ku thjesht vjen, por vendi i vendit tonë, sepse vendi i çdo shqiptari është aty ku mbrohet dinjiteti,” u shpreh Dauti.
Ajo tha se çdo gjeneratë ka përgjegjësitë e veta dhe mënyrën se si duhet të kontribuojë për kombin, duke shtuar se pabarazia vazhdon të mbetet një sfidë e përditshme.
“Secila gjeneratë ka përgjegjësitë e veta… në këtë rrugë që e quajmë politikë, ekzistojnë dy mendësi: njëra që përfaqëson përfitimet dhe lë pas ‘gjembat’ për popullin, dhe tjetra që sakrifikon për t’i hequr ato gjemba për gjeneratat e reja,” theksoi ajo.
Duke folur për bashkëpunimet politike, Dauti vlerësoi rolin e Aleancës për Shqiptarët, duke thënë se ajo ka kontribuar në “heqjen e pengesave për shqiptarët” dhe në avancimin e pozitës së tyre politike.
“Ne sot do të vazhdojmë këtë maratonë. Lidhja Shqiptare është gjallë,” shtoi ajo.
Ajo përmendi gjithashtu arritje politike të rëndësishme në vitet e fundit, duke theksuar se përmes bashkëpunimit është rrëzuar një regjim, janë hapur dyert e NATO-s dhe është arritur përfaqësim më i lartë politik i shqiptarëve në qeverisje.
