Inspektorati Shtetëror i Tregut ka inspektuar mbi 800 pika shitjeje

Nga Xh M
325 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 12 prill Zhurnal.mk – Inspektorati Shtetëror i Tregut në Maqedoninë e Veriut ka dorëzuar raportin nga inspektimet e kryera në Ministrinë e Ekonomisë, nga i cili do të varet nëse pas Pashkëve do të ketë masa të reja kundër rritjes së çmimeve, si ulja e TVSH-së dhe kufizimi i marzhës së fitimit të tregtarëve. Nga Inspektorati i Tregut për TV Telma konfirmuan se raporti është dërguar në adresë të ministrisë javën e kaluar, e cila duhet t’i përpunojë të dhënat dhe t’ia dërgojë Qeverisë për shqyrtim në seancën e radhës të martën.

Nga Inspektorati bëjnë të ditur se janë kryer mbi 140 mbikëqyrje dhe janë përfshirë mbi 800 pika shitjeje. Janë bërë inspektime te prodhues, importues, distributorë dhe markete të mëdha lokale dhe zinxhirë supermarketesh. Janë kontrolluar çmimet e produkteve bazë ushqimore, mjeteve të higjienës personale, produkteve për pastrim, si dhe ushqimit për fëmijë e foshnja dhe produkteve të tjera për fëmijë.

Raporti është përgatitur me kërkesë të kryeministrit Hristijan Mickoski dhe në bazë të tij do të përcaktohet nëse ka ndryshim në çmimet e produkteve bazë ushqimore, përkatësisht nëse dhe sa janë shtrenjtuar ato në fillim të prillit krahasuar me shkurtin e këtij viti.

Zhvillimet globale nga konflikti në Lindjen e Mesme janë reflektuar edhe në çmimet vendore. Para Pashkëve janë shtrenjtuar vezët, ndërsa me çmim më të lartë shitet edhe vaji. Rritje çmimesh vërehet pothuajse te të gjitha produktet, por më e madhe është te frutat.

E gjithë kjo ka rezultuar edhe me inflacion më të lartë. Edhe pse që nga fillimi i vitit ka nisur të ulet, në mars Enti Shtetëror i Statistikës ka matur gati 5% inflacion krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Ndërsa çmimet me pakicë janë rritur për 3.4%.

Mickoski dje njoftoi se në seancën e ardhshme qeveritare do të kenë raportin dhe analizën krahasuese dhe do të vendosin në bazë të tyre.

Për momentin mbeten në fuqi masat për uljen e TVSH-së për benzinën dhe naftën nga 18 në 10 përqind, si dhe vendimi për harmonizimin e akcizave, me të cilin Komisioni Rregullator për Energjetikë mund të veprojë.

Ai gjithashtu deklaroi se pret që në seancën e ardhshme të KRRE-së të merret vendim me të cilin çmimi i naftës do të ulet për 2.5 denarë, ndërsa benzina Eurosuper 95 dhe Eurosuper 98 për 1.5 denarë.

Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (SSM) theksuan se Qeveria duhej të kishte marrë masa më herët për mbrojtjen e konsumatorëve.

Ndërsa nga opozita LSDM reaguan se prej 45 ditësh çmimet janë në nivel të lartë, pa asnjë ndërhyrje serioze nga qeveria.

Në ndërkohë, Maqedonia e Veriut vazhdon të ketë karburantet më të lira krahasuar me vendet e rajonit. Çmimi aktual i benzinave është 83,5 dhe 85,5 denarë, ndërsa dizeli 98 denarë. I kthyer në euro, benzina kushton 1,36 euro, ndërsa dizeli 1,59 euro, ose dukshëm më pak krahasuar me rajonin.

Por njëkohësisht, Maqedonia ka edhe pagat më të ulëta. Paga mesatare neto në vend është 46.617 denarë, ose 758 euro. Kjo është rreth 80 euro më pak se në Bosnjë e Hercegovinë, ku paga mesatare është 841 euro. Në vendet e tjera të rajonit, paga mesatare tejkalon 1.000 euro.

Kriza aktuale e çmimeve të karburanteve lidhet me zhvillimet gjeopolitike në Lindjen e Mesme, ku përshkallëzimi i konfliktit ushtarak i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli ka ndikuar drejtpërdrejt në tregjet globale të energjisë. Ky tension ka shkaktuar pasiguri në furnizimin me naftë dhe rritje të çmimeve në bursat ndërkombëtare, duke reflektuar më pas edhe në vendet e rajonit. Si pasojë, shumë shtete janë përballur me rritje të kostove të importit të karburanteve, çka ka detyruar qeveritë të ndërhyjnë me masa fiskale dhe rregullatore për të zbutur ndikimin tek qytetarët.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër