Graz, 16 prill Zhurnal.mk – Profesori universitar në Universitetin i Tetovës, Festim Halili do të mbajë edhe këtë semestër një cikël ligjëratash në fushën e Inteligjencës Artificiale në Graz University of Technology.
Halili bëri të ditur se angazhimi i tij akademik në Austri përfaqëson jo vetëm një kontribut personal, por edhe një hap konkret drejt forcimit të bashkëpunimit ndëruniversitar dhe ndërkombëtar.
Në kuadër të kësaj vizite, janë siguruar bursa për katër studentë të informatikës – Genti, Eldari, Endriti dhe Artoni – të cilët do të ndjekin ligjëratat dhe do të përfshihen në aktivitete kërkimore në të njëjtin universitet.
Sipas Halilit, përvoja të tilla janë kyçe për zhvillimin profesional të studentëve dhe për afrimin e tyre me standardet dhe praktikat e avancuara akademike ndërkombëtare.
Ai theksoi se iniciativa të tilla janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të krijuar mundësi konkrete për gjeneratat e reja dhe për të avancuar lidhjet akademike mes Maqedonisë së Veriut dhe institucioneve evropiane.
