Shkup, 30 korrik, Zhurnal.mk – Zëvëndësministri i Punëve të Brendshme nga radhët e VLEN, Astrit Iseni, ka replikuar Arbër Ademin në reagimin e këtij të fundit ku ngriti pretendimi për policin që kishte larguar flamurin shqiptar në qytetin e Kumanovës me përdhosje, sipas Ademit i njëjti është avancuar dhe dy djemt e tij. Ndërkaq, Iseni në kundërpërgjigjen e tij i ka mohuar këto pretendime duke e cilësuar Ademin si njëri që ka shijuar priviligje por nuk ka zgjidh probleme.
“I përkëdheluri i partisë, Arbër Ademi, pasi për vite me radhë shijoi privilegjet e pushtetit e nuk guxoi të zgjidhte problemet reale të shqiptarëve, sot e ka shndërruar gënjeshtrën në mënyrë të vetme të të bërit opozitë”, ka shkruar zëvendësministri në MPB, Astrit Iseni.
Ai tutje e ka përsëritur edhe njëherë se polici në fjalë nuk është avancuar.
“Edhe një herë po e themi qartë: polici për të cilin flet Arbër Ademi nuk është avancuar. Pikë. Pse e bën këtë? Sepse kur nuk ke çfarë t’u ofrosh qytetarëve, mbetet vetëm manipulimi. Fatkeqësisht për Arbërin, shqiptarët nuk janë naivë. Në Kumanovë njihemi të gjithë dhe e dinë shumë mirë të vërtetën. Gënjeshtra e përsëritur njëqind herë nuk bëhet e vërtetë”, ka përfunduar Iseni.
