Iseni: Dhuna në ndeshjen Vardar–Bashkimi do të ndëshkohet, sporti s’duhet të kthehet në urrejtje

Nga Xh M
506 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 shkurt – Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka reaguar pas incidenteve të ndodhura gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit mes FK Vardar dhe KF Bashkimi, duke theksuar se çdo shkelje e ligjit do të marrë përgjigjen e merituar institucionale.

Në reagimin e tij, Iseni bëri të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme ka ndjekur me vëmendje të gjitha zhvillimet dhe se policia ka vepruar sipas procedurave për të garantuar rendin dhe sigurinë e tifozëve, lojtarëve dhe stafit.

“Dhuna, ofendimet dhe sjelljet që nxisin tensione nuk i ndihmojnë as sportit, as shoqërisë sonë. Ekipet tona kanë qenë në terren dhe kanë vepruar në përputhje me ligjin,” deklaroi Iseni.

Ai theksoi se aktualisht janë duke u verifikuar të gjitha incidentet, ndërsa çdo moment i regjistruar po shqyrtohet me kujdes. “Kushdo që ka shkelur ligjin do të përballet me përgjegjësitë që parasheh ligji. Këtë e them me bindje të plotë,” u shpreh zëvendësministri.

Iseni apeloi që sporti të mos përdoret për të nxitur përçarje apo urrejtje, duke nënvizuar se futbolli duhet të mbetet emocion dhe pasion në frymën e fair-play-it. Ai bëri të ditur se MPB është në komunikim të vazhdueshëm me Federata e Futbollit e Maqedonisë dhe klubet për të siguruar zhvillimin e ndeshjeve në kushte të sigurta.

Në fund, Iseni u bëri thirrje të gjithë tifozëve që ta respektojnë sportin dhe njëri-tjetrin, duke garantuar se institucionet do të veprojnë me profesionalizëm të plotë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër