Ish-drejtori i Postës së Maqedonisë së Veriut nën hetim, dyshohet se shkaktoi dëm prej 11 milionë denarësh

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 20 tetor, Zhurnal.mk – Drejtoria e Policisë Financiare ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup kundër J.M., ish-drejtor i përgjithshëm i SHA “Posta e Maqedonisë së Veriut” në pronësi shtetërore dhe kryetar i Bordit Drejtues, nën dyshimin për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, sipas nenit 353 të Kodit Penal.

Sipas Policisë Financiare, gjatë periudhës 2021–2022, i kallëzuari, në kundërshtim me statutin e shoqërisë dhe Ligjin për shoqëritë tregtare, nuk ndërmori veprime për zbatimin e vendimeve dhe konkluzioneve të Bordit Drejtues lidhur me shlyerjen e detyrimeve financiare ndaj dy subjekteve juridike, në vlerë të përgjithshme prej 19.292.984 denarësh.

Edhe pse i ishin dorëzuar dokumentet e nevojshme për kryerjen e pagesave, ai nuk e nënshkroi marrëveshjen për shlyerjen e borxhit, nuk i konfirmoi faturat dhe nuk i nënshkroi urdhërpagesat.

Me këto veprime dhe mosveprime, sipas kallëzimit, u mundësua ngritja e procedurave gjyqësore kundër shoqërisë, pas të cilave, me vendime gjyqësore, u përcaktuan detyrime për pagesën e kamatës ndëshkuese.

Në këtë mënyrë, SHA “Posta e Maqedonisë së Veriut” ka pësuar dëm financiar në vlerë prej 10.968.483 denarësh, vetëm në bazë të kamatave ndëshkuese.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër