Tetovë, 16 tetor Zhurnal.mk – Kandidati i VLEN-it për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Jakup Huseini, në tubimin përmbyllës të fushatës për zgjedhjet lokale të 18 tetorit, kërkoi besimin e qytetarëve për të realizuar programin e tij zhvillimor, duke u zotuar për një komunë më të hapur, më efikase dhe në shërbim të të gjithë banorëve.
Para mbështetësve të pranishëm, Huseini tha se takimet me qytetarët gjatë fushatës e kanë afruar më shumë me problemet dhe pritshmëritë e tyre, duke theksuar se programi i tij është ndërtuar mbi kërkesat e banorëve të komunës.
“Kam dëgjuar më shumë sesa kam folur. Kam pyetur më shumë sesa kam premtuar. Sepse besoj se një kryetar i mirë nuk duhet të hyjë në komunë me bindjen se i di të gjitha përgjigjet, por me vullnetin për t’i dëgjuar njerëzit dhe për t’i gjetur zgjidhjet së bashku me ta”, deklaroi Huseini.
Ai u zotua se, nëse merr besimin e qytetarëve më 18 tetor, do të jetë i qasshëm për të gjithë banorët, pa dallime dhe përjashtime, ndërsa theksoi se asnjë vendbanim dhe asnjë kërkesë nuk duhet të anashkalohet.
“Nuk ju premtoj se çdo problem do të zgjidhet brenda natës. Por ju premtoj se asnjë problem nuk do të trajtohet me indiferencë, asnjë kërkesë nuk do të shpërfillet dhe asnjë vendim nuk duhet të merret pa e pasur parasysh interesin e qytetarëve”, tha kandidati i VLEN-it.
Huseini theksoi se zhvillimi i Bërvenicës kërkon projekte konkrete, investime dhe koordinim institucional. Në këtë drejtim, ai vlerësoi si të rëndësishëm bashkëpunimin me pushtetin qendror dhe mbështetjen e VLEN-it, i cili udhëheq dhjetë komuna.
Synimet e tij, siç tha, janë përmirësimi i infrastrukturës dhe shërbimeve publike, krijimi i kushteve për investime dhe hapja e më shumë mundësive për të rinjtë dhe familjet.
“Unë nuk kërkoj vetëm një mandat. Kërkoj mundësinë që, së bashku me ju dhe me mbështetjen institucionale të VLEN-it, ta kthejmë planin në projekte dhe premtimet në rezultate konkrete”, u shpreh Huseini.
Në fund të fjalimit, ai falënderoi ekipin e fushatës, aktivistët, vullnetarët, funksionarët e VLEN-it dhe qytetarët që e kanë mbështetur gjatë takimeve në vendbanimet e komunës.
Huseini kërkoi mbështetjen e qytetarëve në zgjedhjet e 18 tetorit, duke premtuar se do ta ushtrojë përgjegjësinë e kryetarit me përulësi dhe respekt ndaj tyre.
“Sepse pushteti është mandat i përkohshëm, por respekti për njerëzit duhet të jetë i përhershëm”, përfundoi Huseini.
