Shkup, 14 shtator, Zhurnal.mk – Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, e hapi Shkollën verore të Qendrës së përbashkët kërkimore të Komisionit Evropian (JRC), e cila nga sot deri më 18 shtator do të mbahet në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip dhe do të përfshijë tema kyçe të lidhura me vlerësimin e cilësisë së ajrit, tokës dhe ujit, të rëndësishme për realizimin e Agjendës së gjelbër evropiane.
“Për Maqedoninë, si ekonomi në proces të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kjo shkollë është mundësi për forcimin e kapaciteteve dhe dëshmi e qartë se jemi të gatshëm të jemi partner serioz evropian që kontribuon aktivisht drejt qëllimeve të përbashkëta dhe e ndërton të ardhmen e vet mbi vlerat evropiane”, tha ministrja Janevska, duke shtuar se pjesëmarrësit nga radhët e studentëve të avancuar, doktorandëve dhe studiuesve të rinj, do të kenë mundësi të rrallë të njihen me mjetet kërkimore, të shkëmbejnë njohuri dhe të zgjerojnë kontaktet me kolegë nga Ballkani Perëndimor.
Pjesëmarrësit e Shkollës verore që vijnë nga vendi dhe nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia, do të mund të mësojnë drejtpërdrejt nga shkencëtarët e Qendrës së përbashkët kërkimore dhe nga ekspertët se si të përdorin mjetet e JRC për vlerësimin e emisioneve dhe ndikimeve, do të njihen me metoda inovative për përmirësimin e cilësisë së ujit dhe shëndetit të tokës dhe do të fitojnë njohuri mbi teknika të avancuara për matje.
“Ndotja e ujit, tokës dhe ajrit janë rreziqet më të mëdha për shëndetin e të gjithëve ne në Evropë. Dhe, duket se ka kaluar koha kur pyesnim nëse qeveritë do të ndërmarrin hapa seriozë për ndryshime. Tani, para nesh qëndron një ultimatum i qartë: ose do të veprojmë vendosmërisht, ose seriozisht do ta rrezikojmë të ardhmen e fëmijëve tanë”, theksoi Janevska.
Duke folur për domosdoshmërinë e qasjes shkencore dhe zgjidhjeve të qëndrueshme, ministrja Janevska nënvizoi se ato janë në themel të ndryshimeve. Ajo tha se Ministria e Arsimit dhe Shkencës e vendos shkencën dhe kërkimet në qendër të politikave të saj, duke krijuar kushte për punë shkencore përmes laboratorëve modernë, mbështetje të inovacioneve dhe integrim të tranzicionit të gjelbër dhe digjital me Strategjinë për specializim të mençur.
“Për të ruajtur kontinuitetin e mendimit shkencor, vit pas viti i rrisim mjetet për veprimtarinë shkencore‑kërkimore. Fakultetet shtetërore, institutet shkencore, MANU dhe institucionet publike shkencore mund të konkurrojnë me projektet e tyre shkencore‑kërkimore për financim shtetëror. Në vitin 2025‑26, vetëm mbi këtë bazë, janë ndarë 6 milionë euro mjete buxhetore. Në kornizën për mbështetjen e shkencës i përfshijmë të gjithë faktorët relevantë, përfshirë edhe sektorin e biznesit”.
Koorganizator i Shkollës verore është Universiteti “Goce Dellçev” në Shtip, i cili është partner strategjik rajonal dhe evropian i Qendrës së përbashkët kërkimore të Komisionit Evropian.
