Jarevski: Nevojitet stabilitet, jo rritje e pagave me vendim politik – Trençevska: Keni para për dj dhe 50 persona në SHBA, por jo për paga

Nga Xh M
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 23 shtator Zhurnal.mk – Në emisionin e sontëm “Top Tema” u zhvillua debat për pagën minimale, buxhetin dhe politikat ekonomike, ku përballë njëri-tjetrit ishin deputeti i VMRO-DPMNE-së, Toni Jarevski, dhe deputetja e LSDM-së, Jovana Trençevska.

Duke komentuar kërkesën e opozitës që paga minimale të rritet nga 26.000 në 36.000 denarë, Jarevski tha se pagat nuk duhet të përcaktohen përmes vendimeve politike, por në bazë të kushteve reale të ekonomisë dhe tregut.

“Paratë kurrë nuk janë të mjaftueshme dhe pagat asnjëherë nuk janë mjaftueshëm të larta”, tha Jarevski.

Ai theksoi se vendi përballet me një situatë të ndërlikuar ekonomike globale, duke përmendur krizën në Ukrainë dhe zhvillimet në Iran, ndërsa nënvizoi se rreth 80 për qind e shkëmbimit tregtar të Maqedonisë së Veriut është me Bashkimin Evropian.

“Ne para së gjithash duhet të sigurojmë stabilitet. Personalisht, mendoj se gjëja më e keqe është që t’i rrisim pagat mbi bazën e një vendimi politik”, tha Jarevski.

Sipas tij, zgjidhja duhet të kërkohet përmes rritjes së pagës mesatare, investimeve të reja dhe futjes së teknologjive të reja, ndërsa niveli i pagës minimale duhet të përcaktohet nga kushtet e ekonomisë.

“A është më mirë zero apo 28.000 denarë? A është më mirë që punëtorët të mbeten pa pagë, siç po ndodh në BE?”, pyeti Jarevski, duke paralajmëruar se presioni shtesë ndaj ekonomisë mund të sjellë situatë ku qytetarët mbeten pa paga.

Nga ana tjetër, Trençevska tha se paga aktuale minimale prej 26.000 denarësh nuk është e mjaftueshme për një jetë dinjitoze.

“A janë 26.000 denarë të mjaftueshme, apo nëse dy persona janë të punësuar dhe marrin 52.000 denarë, a mjaftojnë për një familje katëranëtarëshe që ta kalojë muajin me dinjitet?”, tha Trençevska.

Ajo rikujtoi rritjet e pagës minimale gjatë kohës kur LSDM ishte në pushtet dhe tha se politika e kësaj partie ka qenë vazhdimisht e orientuar drejt përmirësimit të standardit jetësor të qytetarëve.

Trençevska kritikoi qeverinë për politikat ndaj qytetarëve, duke thënë:

“Keni para për di-xhej dhe për 50 persona që i çoni në SHBA, por nuk keni para për paga për qytetarët dhe për standard më të mirë jetese.”

Debati u zhvillua në kuadër të propozimit të LSDM-së për pagë minimale prej 600 eurosh, ndërsa VMRO-DPMNE e konsideron këtë kërkesë populiste dhe joreale.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër