Shkup, 12 mars – Profesori Jove Kekenovski vlerëson se zgjedhja e prokurorit të ri publik hap mundësi për më shumë pavarësi në punën e prokurorisë, por shton se integriteti dhe paanshmëria e vërtetë do të mund të vlerësohen vetëm me kalimin e kohës.
Duke qenë i ftuar në emisionin Click Plus në TV21, Kekenovski deklaroi se publiku pret që në krye të prokurorisë të vijë një person që nuk ka lidhje partiake dhe që nuk do të punojë në interes të strukturave politike.
“Së gjithë presim një njeri jopartiak. Sipas asaj që dëgjojmë dhe ndjekim në media, vërtet bëhet fjalë për një person që nuk është i afërt me asnjë parti politike. Më në fund në këtë post erdhi një njeri që nuk do t’u bëjë lajka partive politike dhe nuk do t’u shërbejë atyre, siç kanë bërë për fat të keq shumë në të kaluarën”, tha Kekenovski.
Megjithatë, profesori shprehu një dozë skepticizmi se sa prokurori i ri publik do të mund ta ruajë plotësisht pavarësinë, duke theksuar se zgjidhjet ligjore për zgjedhjen në këtë funksion janë restriktive dhe e kufizojnë rrethin e kandidatëve.
Sipas tij, fakti që zgjedhja zakonisht vjen nga radhët e gjyqtarëve ose prokurorëve mund të paraqesë sfidë, duke pasur parasysh se pikërisht këto struktura janë pjesë e sistemit që prej vitesh përballet me kritika për autoritet të dëmtuar.
Kekenovski rikujtoi se në publik prej kohësh flitet për ndikime të ndryshme, klane dhe marrëdhënie joformale mes disa gjyqtarëve dhe prokurorëve, gjë që – sipas tij – e ul besimin në sistemin e drejtësisë.
“Sa do të arrijë të ngrihet mbi gjithë këtë situatë do ta tregojë koha. Do të doja të jem optimist dhe të shpresojmë që më në fund gjendja në drejtësi do të fillojë të përmirësohet dhe se do të fillojmë të ndiejmë vërtet përfitimet nga sundimi i ligjit”, theksoi Kekenovski.
