Jozi Marku në kërkim nga autoritetet kosovare, vendoset në “stop-listë” pas rastit me Edi Kuçin

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Jozi Marku është vënë në “stop-listë” nga autoritetet kosovare, pas incidentit të dhunshëm ndaj Edi Kuçit, për të cilin së fundmi është publikuar edhe videoja e plotë e sulmit.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili bëri të ditur se prokurori kujdestar ka hapur rast penal ndaj J.M., shtetas i Republikës së Shqipërisë.

Sipas Nikçit, rasti është hapur për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, të kryer ndaj shtetasit të Republikës së Kosovës, E.K., inicialet e të cilit i referohen Edi Kuçit.

“Prokurori i shtetit nga Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht prokurori kujdestar, me vetiniciativë ka hapur rast penal ndaj J.M., shtetas i Republikës së Shqipërisë, për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ të shkaktuar ndaj shtetasit të Republikës së Kosovës E.K.”, ka deklaruar Nikçi për Telegrafin.

Ai ka bërë të ditur se Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës për inicimin e rastit, vendosjen në “stop-listë” të të dyshuarit, si dhe ndërmarrjen e veprimeve të tjera ligjore ndaj tij.

“Prokurori i shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për inicimin e rastit dhe vendosjen në stop-listë të të dyshuarit dhe ndërmarrjen e veprimeve ligjore ndaj tij”, ka thënë Nikçi.

Sipas Prokurorisë, veprimet janë ndërmarrë në bazë të dispozitave të nenit 109 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, i cili, sipas saj, zbatohet edhe ndaj personave të huaj që kryejnë vepra penale jashtë territorit të Kosovës ndaj shtetasve të saj.

Rasti lidhet me përleshjen e dhunshme mes Jozit dhe Edi Kuçit, pamjet e së cilës kanë qarkulluar ditët e fundit në rrjetet sociale. Në videon e plotë, e publikuar nga portali “Reporteri”, shihet momenti kur Edi ndalohet në rrugë përmes një tabele të falsifikuar “Stop”, ndërsa më pas i dilet në pritë dhe sulmohet fizikisht.

Në pamje dëgjohet Jozi duke e pyetur Edin “Pse m’ke shajt? Shaje Gjesti, shaje Gjestin”, ndërsa vazhdon ta godasë. Edi shihet i plagosur duke i kërkuar që të ndalojë, ndërsa në fund Jozi i kërkon të ulet në gjunjë dhe t’i kërkojë falje.

Pas publikimit të pamjeve, rasti ka marrë vëmendje të madhe në rrjetet sociale.

Me hapjen e rastit penal dhe vendosjen në “stop-listë”, autoritetet kosovare tashmë kanë ndërmarrë veprimet e para ligjore ndaj J.M., ndërsa rasti pritet të procedohet tutje nga organet kompetente.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër