Tetovë, 30 maj Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka pritur sot në Tetovë ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, me të cilën ka zhvilluar një takim ku janë diskutuar projektet e përbashkëta mes dy vendeve, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe çështje të tjera me interes të përbashkët.
Sipas Kasamit, gjatë takimit është biseduar për projektet që lidhin institucionet e të dy vendeve, duke u vlerësuar lart marrëdhëniet e shkëlqyera mes Kosova dhe Maqedonia e Veriut, si dhe lidhjet e forta që ekzistojnë ndërmjet shqiptarëve në të dy anët e kufirit.
Në një postim pas takimit, Kasami bëri të ditur se me Haxhiun kanë diskutuar edhe për zhvillimet politike në Kosovë, përfshirë zgjedhjet parlamentare dhe rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit politik në vend.
“Mirëprita sot në Tetovë presidenten në detyrë të Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu. Biseduam për projektet e përbashkëta mes dy qeverive tona, marrëdhëniet e shkëlqyera mes shteteve tona dhe lidhjet e ngushta të shqiptarëve në dy anët e kufirit. Folëm edhe për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, si dhe rëndësinë e stabilitetit politik dhe formimin e institucioneve bazuar në vullnetin politik të qytetarëve të shprehur me votë”, ka shkruar Kasami.
Ai theksoi se bashkëpunimi me institucionet e Kosovës do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme, duke shtuar se Komuna e Tetovës dhe institucionet në Maqedoninë e Veriut do të jenë pranë qeverisë së re të Kosovës për të thelluar më tej bashkëpunimin.
“Do të jemi afër qeverisë së re në Kosovë dhe do ta vazhdojmë e thellojmë bashkëpunimin e shkëlqyer”, ka përfunduar Kasami.
