Katër persona në paraburgim pas të shtënave me armë në një aheng familjar në Dobërdoll, videoja u bë virale në rrjetet sociale

Nga Xh M
638 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Gostivar, 2 gusht Zhurnal.mk – Katër banorëve të fshatit Dobërdoll të Gostivarit u është caktuar masa e paraburgimit prej tetë ditësh, pas hetimeve për të shtënat me armë zjarri gjatë një ahengu familjar.

Videoja e ngjarjes u publikua fillimisht në Facebook nga këngëtarja Nesa Omaj, e cila ishte e pranishme duke performuar në këtë aheng familjar. Pamjet më pas u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale, u bënë virale dhe shkaktuan reagime të shumta në opinion, pas së cilave policia nisi hetimet.

Aksioni u ndërmor pasi SPB Tetovë, pas publikimit të videos, kreu kontrolle në disa lokacione në fshatin Dobërdoll.

Gjatë aksionit policor u arrestuan gjashtë persona, ndërsa një tjetër u thirr për bisedë zyrtare. Në kontrollet e kryera u gjetën dhe u sekuestruan disa armë dhe municion.

Te një person u gjet një pistoletë me gaz, ndërsa në një shtëpi tjetër policia zbuloi 30 fishekë për pistoletë me gaz, 27 gëzhoja të shkrepura dhe një fishek për armë gjahu. Në një kontroll tjetër u gjetën një pistoletë me tetë fishekë, një pushkë gjahu me shtatë fishekë dhe një pistoletë me gaz.

Pas sigurimit të provave dhe arrestimit të të dyshuarve, gjykata caktoi masën e paraburgimit prej tetë ditësh për katër prej personave të përfshirë në procedurë.

Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj të përfshirëve do të ngrihen kallëzimet përkatëse penale.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër