Ohër, 18 tetor Zhurnal.mk – Këneta e Studençishtës ende pret mbrojtje ligjore. Si filtër natyror i Liqenit të Ohrit, ajo ndihmon në reduktimin e ndotjes, rregullimin e regjimit ujor dhe përbën habitat për shumë lloje bimore dhe shtazore.
Nevojitet një proces afatgjatë i rigjallërimit të saj. Hapi i parë është largimi i mbeturinave inerte, restaurimi i ekosistemeve dhe rilidhja e kënetës me liqenin.
“Për momentin, synimi ynë afatshkurtër është të sigurojmë mbrojtjen e saj formale si zonë e mbrojtur. Më pas, duhet të largohet fjalë për fjalë i gjithë materiali i hedhur, të rikthehen ekosistemet natyrore dhe të rivendoset lidhja me liqenin. Bëhet fjalë për një proces të plotë të restaurimit të kënetës”, deklaroi Metodija Velevski nga Shoqata Ekologjike e Maqedonisë.
Në komunën fqinje të Debërcës ka nisur procedura për shpalljen e Kënetës së Bellçishtës, e njohur edhe si Sini Viroji, park natyror. Bëhet fjalë për një nga zonat e rralla kënetore të ruajtura në vend, e cila karakterizohet nga një biodiversitet i pasur.
“Është në proces edhe mbrojtja e Kënetës së Bellçishtës. Shpresojmë që kjo të realizohet edhe formalisht, përkatësisht që së shpejti të miratohet ligji përkatës. Aktualisht, fokusi ynë është te Këneta e Studençishtës, ku tashmë kemi vendosur një bashkëpunim të mirë me Komunën e Ohrit. Këneta e Studençishtës është e lidhur me Liqenin e Ohrit dhe përbën një lloj zone mbrojtëse, e cila parandalon ndotjen e liqenit dhe përmirëson gjendjen hidrologjike”, tha Sllavço Hristovski, kryetar i Shoqatës Ekologjike të Maqedonisë.
Këneta e Studençishtës është një pjesë e rëndësishme e ekosistemit të Ohrit. UNESCO prej vitesh kërkon përmirësimin e mbrojtjes së saj, ndërsa në vendimin e këtij viti përsëriti rekomandimin për përshpejtimin e procedurës për shpalljen e saj park natyror.
