Kërkoi mito prej 100 mijë euro, ja ku i fshihte paratë drejtori i arrestuar Anakiev?

Nga Xh M
748 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 20 mars – Prokuroria Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për drejtorin e Inspektoratit Shtetëror për Bujqësi, i dyshuar për marrje ryshfeti.

Prokuroria njofton se, pas një procedure parahetimore dhe një aksioni të koordinuar me MPB-në, është lëshuar urdhër për zhvillimin e hetimeve kundër të dyshuarit, i cili akuzohet për veprën penale “marrje ryshfeti”.

Sipas provave të deritanishme, i dyshuari gjatë kësaj periudhe, si person zyrtar, ka kërkuar drejtpërdrejt përfitim të konsiderueshëm pasuror për të ndikuar në procedurat zyrtare lidhur me importin e mallrave.

Ai, sipas Prokurorisë, ka ushtruar presion ndaj zyrtarëve të tjerë që të mos lejojnë importin për një kompani të caktuar, edhe pse më parë mallrat e saj ishin importuar disa herë. Si arsyetim ishte dhënë se mallrat nuk përmbushin kushtet ligjore, për çka ato kishin mbetur të bllokuara për disa ditë në një pikë kufitare.

Pasi importuesi kërkoi sqarime shtesë, i dyshuari, sipas hetimeve, ka filluar të kërkojë ryshfet. Në një takim me spediterin dhe palën e dëmtuar, ai ka kërkuar drejtpërdrejt 50.000 euro si këst i parë, me marrëveshje që pjesa tjetër të paguhej më vonë për importe të ardhshme.

Paratë janë dorëzuar përmes një ndërmjetësi – spediteri, i cili ka realizuar takimin me të dyshuarin, pas çka është bërë dorëzimi. Menjëherë më pas, policia e ka privuar nga liria.

Prokuroria vlerëson se ekzistojnë rrethana që e arsyetojnë kërkesën për paraburgim dhe i ka dorëzuar Gjykatës Themelore Penale në Shkup propozim për caktimin e kësaj mase.

Ndërkohë, edhe MPB-ja njoftoi se paratë i janë gjetur të dyshuarit nën ulësen e makinës.

Sipas MPB-së, më 20 mars 2026, zyrtarët policorë nga Njësia për Korrupsion në kuadër të Sektorit për Hetime Kriminalistike kanë arrestuar V.A. (41) nga Koçani, ndaj të cilit është paraqitur kallëzim penal për dyshime të bazuara për veprën penale “marrje ryshfeti” sipas nenit 357 të Kodit Penal.

Si person zyrtar dhe drejtor i Inspektoratit Shtetëror për Bujqësi, ai dyshohet se, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm, ka kërkuar në mënyrë indirekte përmes një spediteri ryshfet prej 100.000 euro nga një importues, për të kryer një veprim zyrtar që nuk do të duhej ta kryente.

Sipas rastit, importuesit i ishte thënë se mallrat e tij nuk lejohen të hyjnë në vend dhe duhet të kthehen, me arsyetimin se nuk janë në përputhje me ligjin. Për të mundësuar importin pa pengesa, atij i janë kërkuar 100.000 euro, të cilat duhej të paguheshin në tre këste: 50.000 euro fillimisht dhe më pas nga 25.000 euro në dy raste.

Më 19 mars 2026 është realizuar dorëzimi i këstit të parë prej 50.000 euro, të cilat fillimisht i ka marrë spediteri nga pala e dëmtuar, për t’ia dorëzuar më pas të dyshuarit. Pas marrjes së parave nga ana e tij, policia ka ndërmarrë masa operative, dhe gjatë kontrollit të automjetit, paratë janë gjetur dhe sekuestruar nën ulësen e pasagjerit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër