Këshilli i prokurorëve publikë po i shqyrton kandidaturat e aplikantëve për prokuror të ri publik shtetëror

Nga B.M
471 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 shkurt – Këshilli i prokurorëve publikë e filloi seancën në të cilën duhet t’i shqyrtojë aplikimet dhe të japë mendime për pesë kandidatët për prokuror të ri publik shtetëror. 

Këshilli fillimisht e shqyrtoi kandidaturën e ish-kryetarit të Gjykatës Penale, Vladimir Pançevski, duke vendosur njëzëri se ai nuk e plotëson kushtin për stazh pune të pandërprerë prej të paktën 10 vitesh si prokuror publik ose gjyqtar në fushën e së drejtës penale. 

Në këtë moment, anëtarët e Këshillit po i shqyrtojnë katër kandidaturat e tjera nga u.d. prokurorja publike shtetërore Anita Topolova-Isajlovska, prokurorja Lençe Ristovska, gjyqtari i Gjykatës Penale, Nenad Savevski dhe prokurorja nga Prokuroria e Shkupit, Lidija Raiçeviq. 

Procedura për zgjedhjen e prokurorit të ri publik shtetëror filloi me shpalljen e konkursit nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut më 12 janar të këtij viti, me afat aplikimi prej 15 ditësh nga dita e publikimit në Gazetën Zyrtare. Kandidatët duhet të kenë stazh pune të pandërprerë prej të paktën 10 vitesh si prokurorë publikë ose gjyqtarë në fushën e së drejtës penale.

Në përputhje me Ligjin për Prokurorinë Publike, kandidaturat që kanë arritur në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë përcjellë te Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila më pas kërkon mendim nga Këshilli i prokurorëve publikë për të gjithë kandidatët. Këshilli është i detyruar të dorëzojë mendime të arsyetuara brenda afatit prej 15 ditësh te Qeveria, pas së cilës ajo i propozon Kuvendit njërin nga kandidatët që ka marrë mendim pozitiv.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër