Tiranë, 4 maj, Zhurnal.mk – Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu vizitoi familjet e dy fëmijëve që humbën jetë ditën e djeshme në aksidentin tragjik të ndodhur në Durrës.
Në një postim në rrjetet sociale Koçiu u shpreh se “është një dhimbje që nuk shpjegohet, nuk ngushëllohet e nuk kalon me asnjë fjalë apo përpjekje njerëzore”.
“Në këtë ditë të rëndë që ka tronditur çdo familje shqiptare, ndava nga afër dhimbjen me familjet që humbën engjëjt e tyre. Kur jeta këputet në lulëzimin e saj më të pafajshëm, çdo ngushëllim është i vogël dhe i pafuqishëm”, theksoi Koçiu.
Zv/kryeministrja Koçiu tha se prindërit mbajnë mbi supe një peshë që asnjë zemër nuk duhet ta njohë.
“E vetmja gjë që mbetet është të qëndrojmë pranë tyre dhe të lutemi që të gjejnë forcë për të jetuar me këtë plagë që do të mbetet gjithmonë e hapur. Kjo tragjedi është një thirrje e dhimbshme që na përball me nevojën e domosdoshme për më shumë përgjegjësi, për respekt të palëkundur ndaj rregullave, standardeve dhe ligjit, por mbi të gjitha për një ndërgjegje më të lartë njerëzore”, u shpreh zv.kryeministrja.
“Është detyra jonë e përbashkët të kërkojmë dhe të garantojmë standarde të larta sigurie në çdo hapësirë, duke mos lejuar asnjë neglizhencë me pasoja të parikuperueshme për jetën. U prehshin në paqe engjëjt e vegjël. Drita e tyre u bëftë forcë për prindërit në këtë rrugëtim të pafundmë dhimbjeje”, tha Koçiu.
Gjatë ditës së djeshme rreth orës 14:20, në lagjen nr. 15, në Durrës, një automjet i drejtuar nga shtetasi N. R., rreth 57 vjeç, ka aksidentuar tre fëmijë të mitur, dy prej të cilëve ndërruan jetë dhe një tjetër ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
