Shkup, 31 dhjetor – Mjekët rekomandojnë për kujdes të shtuar gjatë konsumimit të ushqimit dhe pijeve gjatë festave. Safjane Bellçishta thotë se sidomos të kujdesshëm duhet të jenë qytetarët me probleme shëndetësore, pasi nëse e teprojnë me ushqime, mund të përballen me pasoja të rrezikshme, madje edhe me pasoja fatale.
“Pacientët me diabet, nuk guxojnë të hanë ëmbëlsira, vetëm fibra duhet të hanë dhe mund të hanë edhe mishin. Alkoolin edhe ata assesi, se mund të vjen deri në uljen e sheqerit shumë dhe mund të futen në koma ata pacientë. Kategoria e tretë janë pacientët me hipertension. Këto ushqime të llojllojshme të natës së vitit të ri, janë më tepër me krip dhe yndyrna dhe mund të ndikojnë në hipertension dhe mund të kenë ndonjë sulm në kokë, apo sulm në zemër dhe ata duhet të kenë kujdes. Si dhe kategori tjetër janë pacientët që kanë sëmundje të veshkëve, ata nuk guxojnë mish të kuq të konsumojnë gjatë vitit të ri…Pacientët me sëmundjet respiratore siç janë astma, sëmundjet kronike të mushkrive, ata pacientë duhet të kenë kujdes me ushqimet, sepse njëri prej atyre ushqimeve mund t’i bëj edhe alergji që mund të jetë pasojë fatale për pacientin”, tha Safjane Bellçishta, mjeke amë.
Bellçishta thekson se ushqimi i tepërt mund të shtojë deri në 4 kilogramë, por rekomandon që për pastrim të organizmit prej ushqimit të konsumuar, nevojitet që një ditë pas festës të mbahet një regjim ushqimor, i ashtuquajtur ‘agjërim’.
“Ushqimi që do të merret gjatë tërë natës, do të jetë shumë, prandaj do të duhet nesër të mbajnë një dietë, si agjërim të jetë, për shembull, 12,15 deri në 18 orë, mandej ditën tjetër mund të vazhdojnë ta marrin normal ushqimin… Tre deri në 4 kilogramë”, u shpreh Safjane Bellçishta, mjeke amë.
Mjekët rekomandojnë për shmangie të pijeve alkoolike, duke nënvizuar se veçanërisht nëse teprohet, mund të vijë deri të ngushtimi i enëve të gjakut, mungesë oksigjeni të mjaftueshëm në tru që mund të rezultojë me rënie në komë.

