Prshtinë, 12 tetor, Zhurnal.mk – Nënshkruhet marrëveshja mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për sektorin e shëndetësisë në vlerë prej 41 milionë euro.
Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se ky projekt do të sigurojë pajisje mjekësore moderne dhe do të ndikojë në infrastrukturën e pacientëve në QKUK dhe në spitalet rajonale të Prizrenit, Pejës, Gjakovës dhe atë të Gjilanit.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, sot po nënshkruan bashkë me Bankën Evropiane të Investimeve dhe Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës marrëveshje kredi për projektin e pajisjeve mjekësore dhe përmirësimit të infrastrukturës. Vlera e përgjithshme e këtij projekti është 41 milionë euro, dhe bashkëfinancimi është i ndarë barabartë nga dy bankat, pra EIB dhe CEB. Investimi do të sigurojë pajisje mjekësore moderne dhe do të ndikojë në infrastrukturën e pacientëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, si dhe në spitalet rajonale të Prizrenit, Pejës, Gjakovës dhe atë të Gjilanit”, tha Murati.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se modernizimi i infrastrukturës dhe teknologjisë mjekësore është një nga prioritetet e strategjisë sektoriale të shëndetësisë 2025-2030.
“Strategjia sektoriale e shëndetësisë 2025-2030, pasqyron prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sektorin e shëndetësisë. Në objektivat strategjikë të kësaj strategjie, kemi identifikuar riorganizimin e institucioneve shëndetësore dhe modernizimin e infrastrukturës dhe teknologjisë mjekësore si një nga prioritetet e sotme. Strategjia i jap një rëndësi të veçantë përmirësimit të infrastrukturës fizike të institucioneve shëndetësore sekondare dhe terciare me furnizimin e tyre me pajisje mjekësore moderne për një periudhë afatgjatë”, tha Vitia.
Robert de Groot, zëvendëspresident i Bankës Evropiane të Investimeve tha se kujdesi shëndetësor është nga format më të thjeshta ku investimet publike ofrojë shërbime për popullin.
“Kujdesi shëndetësor është një nga mënyrat më të dukshme përmes të cilave investimet publike ofrojnë shërbime për njerëzit. Çdo ditë, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, qytetarët duhet të jenë në gjendje të mbështeten te kujdesi thelbësor mjekësor për veten dhe familjet e tyre. Dhe duke nënshkruar këtë operacion sot, ne po ndihmojmë për të siguruar që profesionistët shëndetësorë dhe pacientët në mbarë Kosovën të kenë qasje në pajisje dhe lehtësira moderne. Kjo do të thotë pajisje mjekësore të avancuara dhe përmirësim i infrastrukturës mbështetëse, duke rezultuar në diagnostikim më të mirë, trajtim më efektiv dhe kujdes të përmirësuar për pacientët”, tha de Groot.
Johannes Böhmer, zëvendësguvernator për Strategjinë e Zhvillimit Social në Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës tha se pa shëndet, çdo gjë është asgjë.
“Mund të themi se pa shëndet, çdo gjë është asgjë. Dhe mendoj se popullatat në të gjitha vendet tona presin një sistem të fortë shëndetësor si një shërbim bazë që qeveritë duhet ta sigurojnë në mënyrë që të mbajnë popullatën e tyre funksionale. Pa shëndet, shumë gjëra të tjera bëhen dytësore dhe për këtë arsye, kjo është edhe më e rëndësishme”, tha ai. /kp/
