Shkup, 30 mars – Çmimet e plehrave artificiale në bursat botërore, por edhe tek ne, shënojnë një rritje të ndjeshme. Ndërsa kostot e prodhimit po rriten, fermerët shqetësohen se prodhimi i këtij viti do të jetë dukshëm më i ulët ose se do të punojnë me humbje të mëdha.
Rritja e çmimeve të energjisë dhe prishja e zinxhirëve të furnizimit po trazojnë sërish industrinë agro. Plehrat artificiale, të cilat janë thelbësore për një prodhim cilësor, tani shiten me çmime që për shumëkënd janë të paarritshme.
Problemi i rritjes së çmimeve të plehrave shtrihet edhe në frutikulturë, e cila është edhe më komplekse, pasi pemët janë kultura shumëvjeçare që kërkojnë ushqyerje të vazhdueshme për të dhënë prodhim.
Kjo do të thotë se frutat maqedonase, të cilat tashmë përballen me konkurrencë të fortë nga importet, këtë vit do të kenë kosto prodhimi edhe më të lartë, të cilën konsumatorët vendas do ta kenë të vështirë ta përballojnë.
Agronomët paralajmërojnë se nëse nuk ndërhyhet, shumë frutikultorë mund të vendosin që të mos trajtojnë fare kulturat, gjë që do të rezultojë në prodhim të zvogëluar drastikisht dhe dëmtime të përhershme të kulturave shumëvjeçare.
