Kurti: Bashkëjetesa ndërfetare në Kosovë, vlerë dhe domosdoshmëri shoqërore

Nga D. V.
121 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 16 prill Zhurnal.mk – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në tryezën e dialogut ndërfetar me temën “Bashkëjetesa ndërfetare ndër ne, virtyt hyjnor apo domosdoshmëri shoqërore”, ku theksoi rëndësinë e harmonisë dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve fetare.

Në fjalën e tij, Kurti u shpreh se bashkëjetesa ndërfetare në Kosovë nuk është vetëm aspiratë, por një traditë e ndërtuar ndër shekuj mbi respektin dhe mirëkuptimin.

“Në Kosovë, bashkëjetesa ndërfetare nuk është vetëm një aspiratë moderne, por edhe traditë historike e ndërtuar ndër shekuj mbi respektin dhe bashkëjetesën”, theksoi ai.

Kryeministri nënvizoi se liria fetare mbetet një nga të drejtat themelore universale dhe bazë e një shoqërie demokratike dhe gjithëpërfshirëse.

“Liria fetare padyshim që mbetet një nga të drejtat themelore universale të njeriut, si bazë e një shoqërie demokratike dhe gjithëpërfshirëse”, tha Kurti.

Ai shtoi se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa konkretë për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe fetare, duke përfshirë restaurimin e objekteve të kultit për të gjitha komunitetet.

“Janë restauruar dhe vazhdojnë të restaurohen xhami, kisha dhe monumente të tjera me vlerë historike, duke u kthyer në hapësira të gjalla të dialogut ndërmjet komuniteteve”, u shpreh ai.

Kurti theksoi se shoqëria kosovare ka kaluar përtej konceptit të tolerancës, duke e cilësuar bashkëjetesën si një nivel më të avancuar të marrëdhënieve ndërfetare.

“Ne jemi përtej tolerancës, jemi te bashkëjetesa, te bashkëveprimi dhe bashkëpunimi i komuniteteve fetare”, deklaroi ai.

Në përfundim, kryeministri vlerësoi rolin e komuniteteve fetare si partnerë të rëndësishëm në ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme dhe me harmoni.

“Bashkëjetesa ndërfetare është njëkohësisht virtyt hyjnor dhe domosdoshmëri shoqërore për paqen dhe zhvillimin e vendit tonë”, përfundoi Kurti.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër