Kurti takon drejtoren menaxhuese të Fondit Monetar: Kosova shënoi rritje ekonomike prej 5.4% në tremujorin e parë dhe 4.1% në tremujorin e dytë

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 22 shtator, Zhurnal.mk – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës në New York në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, u takua me drejtoren menaxhuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit bëhet e ditur se në takim u diskutua për partneritetin e deritanishëm ndërmjet Kosovës dhe FMN-së dhe mundësitë përpara.

Kryeministri theksoi se agjenda e reformave synon krijimin e vendeve më të mira të punës, veçanërisht për të rinjtë dhe gratë, përmes rritjes së produktivitetit, investimeve dhe eksporteve, si dhe rritjes së pjesëmarrjes në fuqinë punëtore.

Në këtë drejtim, ai tha se prioritet për Qeverinë mbetet zgjerimi i programit tonë SuperPuna për Gratë, si dhe vazhdimi dhe përmirësimi i sistemit të arsimit dual. Ndërsa shtoi se gjatë këtij viti Kosova shënoi rritje ekonomike prej 5.4% në tremujorin e parë dhe 4.1% në tremujorin e dytë.

Kryeministri Kurti dhe drejtorja Georgieva biseduan edhe për sfidat me të cilat po përballen vendet në mbarë botën, përfshirë rritjen e çmimeve të naftës dhe krizën energjetike, si dhe për mekanizmat dhe masat që nevojiten për t’i përballuar këto sfida.

Kryeministri Kurti e falënderoi drejtoren Georgieva për bashkëpunimin e vazhdueshëm me FMN-në, duke përmendur synimet për thellimin dhe diversifikimin e tij edhe më tej në mandatin e ri.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër