Kusari-Lila u takua me Lulzim Rafunën, u theksua nevoja për ngritjen e standardeve të prodhimit dhe shërbimeve

Nga D. V.
468 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari –Lila ka zhvilluar një takim me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

Kusari-Lila përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se në takim ka theksuar nevojën për ngritjen e standardeve të prodhimit dhe shërbimeve, si dhe përgjegjësinë që bizneset kanë për mbrojtjen e konsumatorit dhe garantimin e sigurisë në punë.

“Një ekonomi e fortë ndërtohet mbi standarde të larta dhe besim. Bashkë me kryetarin e Odës, diskutuam për lehtësimin e regjistrimit të bizneseve, rritjen e transparencës dhe fuqizimin e rolit të grave në sektorin privat. Barazia dhe formalizimi janë thelbësore për zhvillim të qëndrueshëm”, ka shkruar Kusari-Lila.

Tutje ajo ka shkruar se në fokus ishte edhe Plani i Rritjes dhe hapat konkretë që na presin, përfshirë Ligjin për Inovacion.

“Trajtuam po ashtu çështjen e përdorimit të barkodeve ndërkombëtare për Kosovën nga viti 2026, proces për të cilin është angazhuar Oda Ekonomike e Kosovës, me ç’rast e falënderova për angazhimin. Biseduam gjithashtu për funksionimin e shoqatës së grave në biznes dhe bashkëorganizimin e forumeve me përfshirjen aktive të diasporës dhe ambasadave të Republikës sonë”, ka shkruar Kusari-Lila.

Ajo ka shkruar se në javët në vijim do të nisin konsultimet e përbashkëta për ligjet e agjendës legjislative, me transparencë të plotë dhe përfshirje të gjerë. 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër