Tiranë, 09 tetor, Zhurnal.mk – Biznesmeni Jared Kushner ka reaguar në faqen e tij zyrtare ndaj disa artikujve të publikuar në mediet amerikane lidhur me projektin e investimit në Zvërnec.
Kushner hedh poshtë pretendimet e pavërteta se toka është dhënë nga qeveria shqiptare, duke sqaruar se ajo është blerë përmes një transaksioni privat sipas legjislacionit në fuqi, në shumën 230 milionë euro.
“Sugjerimi se ky projekt u çua përpara për të fituar simpatinë e presidentit Trump e paraqet gjithashtu gabim rendin kronologjik të ngjarjeve. Siç vëren edhe vetë artikulli, interesi ynë nisi në verën e vitit 2021, kur unë isha një qytetar privat, shumë kohë përpara se presidenti Trump të shpallte fushatën e tij presidenciale për vitin 2024”, shprehet Kushner në reagimin e tij.
Ai sqaron se si personalisht është i angazhuar për të krijuar diçka të veçantë për zonën, duke theksuar se zhvillimi do të jetë sipas standardeve më të larta duke e lënë këtë pjesë të mrekullueshme të Shqipërisë më të gjelbër dhe me më shumë biodiversitet.
Kushner deklaron se nëse ky investim realizohet, mund të arrijë në rreth 4 miliardë euro, duke krijuar vende pune, aktivitet ekonomik dhe mundësi të reja zhvillimi.
Reagimi i plotë i Jared Kushner:
https://jaredkushner.com/posts/new-yorker-response/#section-9
Pretendimi
Jared Kushner i ishin dhënë të drejtat për zhvillimin e projektit pa njoftim publik ose procedurë konkurruese për paraqitjen e ofertave, dhe ndryshimi ligjor që do të mundësonte përdorimin e tokës së mbrojtur, ishte miratuar me nxitim në parlament. Kryeministri Edi Rama madje lejoi ndërtimin e një aeroporti brenda zonës së mbrojtur.
Realiteti
Toka nuk na është dhënë nga qeveria shqiptare. Partneriteti ynë e bleu atë nga një palë private për 230 milionë euro, në një transaksion privat, me një nga çmimet më të larta të paguara në rajon për një transaksion të kësaj përmase. Dokumentacioni që vërteton pronësinë u shqyrtua nga këshilltarë ligjorë dhe u verifikua.
Ky projekt nisi si një investim i zakonshëm privat në pasuri të paluajtshme, i bazuar në besimin tonë te potenciali i Shqipërisë, si një destinacion në rritje dhe te mundësia për të krijuar atje diçka vërtet të veçantë.
Ne po investojmë kapital të konsiderueshëm privat, duke besuar te potenciali i një vendi që nuk ka pasur kurrë më parë një projekt të kësaj përmase. Nuk ka asnjë garanci. Ne po e marrim përsipër këtë rrezik, sepse besojmë te Shqipëria dhe te shqiptarët. Nëse projekti do të ketë sukses, ai mund të përfaqësojë rreth 4 miliardë euro investime dhe të krijojë vende të shumta pune, aktivitet ekonomik dhe njohje ndërkombëtare të konsiderueshme për Shqipërinë.
Që prej blerjes së tokës, kemi shpenzuar më shumë se tre vjet dhe dhjetëra miliona dollarë për të studiuar vendin, mjedisin e tij, si dhe mundësitë dhe nevojat e rajonit. Gjatë kësaj kohe, kemi bashkuar arkitektë, projektues, inxhinierë, ekspertë mjedisorë dhe partnerë të jashtëzakonshëm, për ta konceptuar projektin në mënyrë të përgjegjshme. Qëllimi nuk ka qenë kurrë thjesht zhvillimi i tokës, por krijimi i diçkaje që mund të shndërrohet në një platformë mundësish dhe rritjeje afatgjatë për Shqipërinë.
Asher Abehsera, një mik i kahershëm dhe partner biznesi me përvojë në projekte të suksesshme zhvillimi, iu bashkua projektit si partner dhe drejtor ekzekutiv (CEO) dhe ka drejtuar punën e përditshme gjatë katër viteve të fundit.
Familja Kastrati, një familje e njohur shqiptare biznesi, me rrënjë të thella në vend dhe me krenari të madhe për të, na e prezantoi fillimisht mundësinë për të blerë këtë tokë dhe ndan me ne besimin te potenciali i Shqipërisë.
Unë u takova për herë të parë me Ramez dhe Moutaz Alkhayyat në Doha gjatë Kupës së Botës 2022 dhe u impresionova nga historia dhe aftësitë e tyre. Ata ishin larguar nga Siria si refugjatë, gjatë regjimit brutal të Asaad-it, ndërsa më vonë qeveria u kishte konfiskuar shumë prej pronave dhe pasurive të tyre. Atyre iu dha mundësia të rindërtonin jetën dhe bizneset e tyre në Katar. Mbërritja e tyre përkoi me nevojat e mëdha të Katarit për ndërtime përpara Kupës së Botës dhe ata u përfshinë thellësisht në transformimin e qytetit të Dohas përmes projekteve të mëdha të ndërtimit.
Ky është një dallim i rëndësishëm, ky është një investim, jo diçka që na është dhënë. Ne e blemë tokën për 230 milionë euro, po angazhojmë kapital të konsiderueshëm privat shtesë dhe mbajmë përsipër rrezikun nëse projekti do të ketë sukses apo jo. Nëse ia dalim, Shqipëria do të përfitojë përmes vendeve të punës, turizmit, mundësive ekonomike dhe rritjes afatgjatë.
Vëmendja ime personale është përqendruar kryesisht te vizioni dhe projektimi, duke bashkuar arkitektë, partnerë, projektues dhe krijues të jashtëzakonshëm për të krijuar një destinacion, që nuk i ngjan asgjëje tjetër në rajon. Unë jam një partner me pjesëmarrje të pakicës dhe nuk përfshihem në punën e përditshme të projektit.
Partneriteti ka zhvilluar konsultime të gjera me komunitetin lokal në Vlorë. Ne gjithashtu e kuptojmë se njerëzit kanë pyetje dhe shqetësime të ligjshme. Projekti do të duhet t’u nënshtrohet të gjitha procedurave përkatëse rregullatore dhe mjedisore në Shqipëri dhe të marrë miratimet e nevojshme për të vijuar.
Synimi ynë është të ndërtojmë duke zbatuar standardet më të larta të projektimit dhe të mbrojtjes së mjedisit, si dhe ta lëmë këtë pjesë të jashtëzakonshme të Shqipërisë më të gjelbër, me biodiversitet më të pasur dhe me një mjedis më të shëndetshëm e më të qëndrueshëm.
Sugjerimi se ky projekt u çua përpara për të fituar simpatinë e presidentit Trump e paraqet gjithashtu gabim rendin kronologjik të ngjarjeve. Siç vëren edhe vetë artikulli, interesi ynë nisi në verën e vitit 2021, kur unë isha një qytetar privat, shumë kohë përpara se presidenti Trump të shpallte fushatën e tij presidenciale për vitin 2024.
E njëjta gjë vlen edhe për aeroportin. Artikulli lë të kuptohet, megjithëse nuk e thotë plotësisht, se zyrtarët qeveritarë e miratuan aeroportin me kërkesën time. Në fakt, aeroporti ishte miratuar që përpara se unë ta shihja për herë të parë projektin dhe ishte një nga faktorët që më tërhoqën drejt tij dhe që ndikuan në vizionin tim për atë që mund të bëhej ky rajon.
Në fund të fundit, do të jetë Shqipëria ajo që do të vendosë nëse projekti do të vijojë. Nëse miratohet, shpresoj se do të mund të krijojmë diçka për të cilën shqiptarët do të ndihen krenarë dhe që familjet nga Shqipëria dhe nga e gjithë bota do ta shijojnë për breza të tërë.
