Kuvendi, pjesë e takimit të nivelit të lartë të CEI në Trieste

Nga D. V.
651 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kryetari i delegacionit të Përhershëm të Kuvendit pranë Nismës së Evropës Qendrore (CEI), Skënder Pashaj, mori pjesë në takimin e nivelit të lartë të zhvilluar në Trieste, Itali, në kuadër të 30-vjetorit të krijimit të Sekretariatit Ekzekutiv të CEI.

Aktiviteti shënoi një moment të rëndësishëm për bashkëpunimin rajonal, duke reflektuar mbi tre dekada angazhim të përbashkët për stabilitet, zhvillim dhe integrim evropian. Në diskutime u theksua roli i CEI si një platformë strategjike që shkon përtej dialogut politik, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe social në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore.

Pjesëmarrësit, nënvizuan kontributin e CEI në mbështetje të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe në përgatitjen e vendeve aspirante për anëtarësim, si dhe rëndësinë e saj në forcimin e partneriteteve rajonale dhe në zbatimin e projekteve konkrete në fusha si sundimi i ligjit dhe ndërlidhja infrastrukturore.

Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Italisë,  Antonio Tajani, vlerësoi progresin e Shqipërisë drejt integrimit evropian, duke e cilësuar vendin tonë si një aktor aktiv në bashkëpunimin rajonal. Ai evidentoi gjithashtu tolerancën dhe bashkëjetesën fetare si një vlerë të shtuar të Shqipërisë, ndërsa theksoi se integrimi i Ballkanit Perëndimor do të përbëjë një ri-unifikim të Bashkimit Evropian.

Gjatë takimit, u vu në dukje nevoja për rritjen e ambicies strategjike të CEI në dekadën e ardhshme, veçanërisht në drejtim të forcimit të ndërlidhjes rajonale, mbështetjes së reformave dhe intensifikimit të bashkëpunimit me Bashkimin Evropian. Në këtë drejtim, u theksua edhe roli i Fondit të CEI pranë Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si një instrument i rëndësishëm për zbatimin e projekteve zhvillimore.

Në takimet me përfaqësues të delegacioneve nga vendet anëtare, përfshirë Italinë, Kroacinë dhe Poloninë, u vlerësua bashkëpunimi i vazhdueshëm dhe aktiv i Kuvendit të Shqipërisë në kuadër të CEI.

Në përfundim, Pashaj rikonfirmoi angazhimin për një pjesëmarrje aktive të Kuvendit të Shqipërisë në aktivitetet e CEI, në funksion të forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe përparimit të mëtejshëm të integrimit evropian të vendit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër