Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, tha sot se nga Amnistia Penale, nuk do të përfitojnë persona të cilët janë në hetim apo gjykim nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GjKKO).
Gjatë një konference për mediet, ministri nënvizoi se kjo vjen për shkak të mbështetjes së vazhdueshme që qeveria ka ofruar për organet e reja të drejtësisë.
“Ne e kemi thënë dhe më herët, se për ne është e rëndësishme që të mos krijojmë keqkuptime për spekulime, megjithëse i kam dëgjuar të gjithë argumentet, përfshirë dhe ata të natyrës juridike, padashur t’i hyjë nëse qëndrojnë apo jo, por duke marrë parasysh dhe kontekstin që ne ndodhemi dhe mbështetjen e vazhdueshme që u kemi ofruar organeve të drejtësisë, konkretisht atyre në luftë kundër krimit të organizuar dhe SPAK, ne e kemi bërë të qartë, që kjo nuk përfshin persona të cilët janë në hetim apo gjykim nga GJKKO”, tha ministri.
Lamallari njoftoi sot se nga Amnistia Penale do të përfitojnë rreth 10 mijë shtetas shqiptarë. Sipas tij 338 të dënuar do të lirohen menjëherë, ndërsa 980 të tjerë do të përfitojnë ulje dënimi.
Miratimi i draftit për Amnistinë Penale bëri të ditur ministiri është dërguar në Këshillin e Ministrave dhe shumë shpejt do të miratohet në mbledhjen e qeverisë.

