Shkup, 10 tetor – Maqedonia e Veriut ka bërë përpjekje të hatashme për plotësimin e gjitha kushteve të nevojshme për hapje të negociatave me BE-në. Por, në fund RMV u lë anash dhe negociatat do të hapen vetëm me Shqipërinë. Ky është mesazh shumë i qartë për faktorin politik në Maqedoninë e Veriut që të gjithë duhet të harmonizojnë qëndrimet dhe veprimet në këtë drejtim. Nuk duhet të ketë ndarje pushtetesh pozitë apo opozitë të gjithë bashkë për qëllimin final, hapje të negociatave me BE-në. Aktualisht, pengesa e vetme ka ngelur realizimi i ndryshimeve kushtetuese, kjo duhet të bëhet me vullnet të plotë sepse është mundësia e fundit për kapjen e këtij treni që po shkon drejt BE-së. Çdo vonesë përpos që rrit euroskepticizmin në vend, ndikon dukshëm negativisht edhe në mundësinë e krijimit të bllokadave të reja, shkruan Zhurnal.
Sa më i plotë lobi aq më e shkurt rruga për anëtarësim në BE, pozitë e opozitë duhet bashkuar –
Nëse dikur kishte vullnet pushteti i kaluar që ndryshimet kushtetuese të ndodhin, tani nuk nënkupton që pushteti aktual nuk e ka këtë vullnet. E rrugës është që duhet të lihen inatet politike e garat partiake por që të gjithë të bashkohen për të njëjtin qëllim në shërbim të shoqërisë për vazhdimin e rrugëtimit drejt BE-së.
Prej katër partive politike që janë faktori kryesor në vend si në kampin politik maqedonas ngjashëm edhe në ato shqiptarë janë deklaruar çdoherë që i është dhënë mundësia se janë pro evropian, se punojnë për anëtarësimin sa më të shpejt edhe të vendit tonë në familjen evropiane. Prandaj, VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe VLEN si katër shtyllat e politikbërjes në vend duhet të ulen bashkërisht e të harmonizojnë qëndrimet e të përshpejtojnë procesin sa nuk kemi mbetur jashtë planit të BE-së.
Se qeveria aktuale ka orientim evropian dëshmohet nga lëvizjet dhe vizitat e politikanëve të pushtetit. Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, filloi punën me vizitën e parë të punës në Bruksel, nga ku ka pasur një sërë takimesh me përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian. Krahas kësaj, Mucinski ka vizituar edhe Parlamentin Evropian, ku ka pasur takime me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme, eurodeputetin gjerman Dejvid Mekalister dhe me anëtarët e këtij Komisioni, eurodeputetin bullgar Ilhan Quçuk, i cili është edhe raportues për vendin e tij dhe eurodeputetja holandeze Tineke Strik, e cila është edhe anëtare e Delegacionit të Komisionit të Përbashkët Parlamentar BE-Maqedonia e Veriut.
VMRO, LSDM, BDI dhe VLEN, të bashkohen në forcimin e lobit për anëtarësim në BE –
VMRO-VLEN në pushteti dhe LSDM BDI në opozitë duhet të bashkohen e të harmonizojnë idetë e tyre në drejtim të përshpejtimin të procesit të anëtarësimit në BE. Në të kundërtën deri sa qytetarët të dëgjojnë politika ditore për patriotizëm të rrejshëm procesi po prolongohet, besimi në BE po ulet e qytetarët po adaptohen edhe pa BE-në gjë që është shumë e dëmshme.
Nëse që të gjithë krerët e këtyre subjekteve e koalicioneve kanë gadishmëri që vendi të anëtarësohet atëherë këtë duhet ta dëshmojnë në forma të ndryshme pos asaj deklarative. Nuk mjafton vetëm me thënë se jemi për BE, duhet të dëshmohet se çfarë kanë bërë e çfarë po bëjnë që kjo dëshirë, nevojë e pritje e gjatë të bëhet realitet.
Nëse për çështje të brendshme partitë politike mund të ulen bashkë të dakordohen bie fjala se kur do të mbahen zgjedhjet përse të njëjtën nuk mund ta bëjnë edhe për ardhmërinë e vendit. Asgjë nuk u kushton politikanëve e shumë ndikon në rregullimin e përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve përshpejtimi i procesit të anëtarësimit. Pra, politikbërësit mund të ulen e të bisedojnë e të merren vesh se ku qëndron bllokada dhe si ta mënjanojnë së bashku me frymë pozitive dhe energji që po bëjnë një punë në shërbim të gjeneratave të ardhshme.
Pritjet e RMV-së për tu anëtarësuar në BE janë të gjata –
Maqedonia e Veriut si shtet i pavarur nga 8 shtatori i vitit 1991, është pozicionuar në drejtim të anëtarësimit në BE si veprim strategjik i domosdoshëm për zhvillim të shtetit. Pra, rrugëtimi i Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian ka filluar menjëherë pas pavarësimit, ndërsa zyrtarisht më 17 dhjetor të vitit 2005 Këshilli Evropës vendosi që Republikës së Maqedonisë, atëherë, ndërsa sot RMV-së, statusit shtet kandidat për anëtarësim në BE. Më 17 dhjetor të po këtij viti, 2023, RMV mbush plot 18 vite po me të njëjtin status vetëm shtet kandidat, pa marrë datën për fillim të negociatave.
Por, a është i nevojshëm ose i mjaftueshëm vetëm aplikimi e interesi i një shteti për t’u anëtarësuar në BE?, sigurisht që jo. Bëhet fjalë për disa kushte që duhet plotësuar secili shtet i interesuar për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane. Mirëpo, për çfarë kushtesh bëhet fjalë, flitet për kushte që janë vështirë për t’u plotësuar apo mungesë e seriozitet të shteteve kandidate në përgjithësi, e në veçanti të shtetit tonë?, janë çështje të diskutueshme
Kujtojmë se, pengesa më e madhe për mos marrjen e datës për fillim të negociatave me BE-në për Maqedoninë e Veriut është shteti Bullgar, që në mënyrë të drejtpërdrejt pengohet edhe Shqipëria. Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat Bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.
Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE. Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në.
Ndryshe, zgjidhja e vetme është bazuar në planin franko-gjerman përmes të cilit Maqedonia e Veriut është e obliguar të bëjë ndryshime kushtetuese dhe të fusë bullgarët si pjesë integrale në Kushtetutën e vendit. Por, për këto ndryshime nevojiten 80 vota të deputetëve që shumica aktuale parlamentare i ka por vetëm nevojitet vullnet politik. /Zhurnal.mk
 
			        
